Erion Veliaj pritet të marrë pjesë në seancën në Gjykatën Kushtetuese më 31 tetor. Lajmi është njoftuar nga drejtuesi i emisionit “Log” Endri Xhafo, i cili citoi një nga avokatët e Veliajt.
“Sot kam komunikuar me një nga avokatët e zotit Veliaj, sepse ai ka një grup avokatësh që e ndihmojnë në këtë çështje. Më tha se Veliaj do të jetë i pranishëm në seancën e datës 31 tetor,” tha Xhafo.
Veliaj ndodhet në burgun e Durrësit që prej 10 shkurtit 2025, kur u arrestua me kërkesë të SPAK-ut. Veliaj përballet me disa akuza si korrupsion aktiv e pasiv, pastrim parash, fshehje pasurie e shpërdorim detyre.
Disa javë pas arrestimit, kryeministri Rama komandoi në detyrë Anuela Ristanin ndërsa pak ditë më parë prezantoi Ogerta Manastirliun si kandidaten e PS-së për zgjedhjet e pjesshme në Tiranë.
Këshilli Bashkiak i Tiranës votoi për shkarkimin e Veliajt, por ky i fundit e çoi në Kushtetuese shkarkimin duke e quajtur të paligjshëm. Sot Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë dekretin e presidentit Bajram Begaj për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme në Tiranë, që ishte caktuar për në 11 nëntor.
