Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Begaj i padenjë për President, Rama i tmerruar nga ato që di Veliaj


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar me tone të ashpra akuzat ndaj mazhorancës, duke deklaruar se opozita do të çojë përpara nismën për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj.

Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se Begaj “është i padenjë për të qenë në krye të shtetit” dhe e akuzoi se është “peng i akteve kriminale që lidhen me grabitjen e pronave të ushtrisë”.

“Ne kemi paraqitur kërkesën për impeachment. Zoti Begaj është i padenjë, jo për postin e Presidentit, por me dosjet që i rëndojnë është skllav i akteve të tij kriminale me plaçkitjen e pronave të ushtrisë, me Edi Ramën. I lejoi vetes të firmosë një vendim që kurrë nuk mund ta firmoste,” tha Berisha.

Lideri i PD-së u ndal edhe te zhvillimet e fundit në kampin e majtë, duke pretenduar se kryeministri Edi Rama po vepron me frikë për shkak të asaj që “di Erion Veliaj”.

“Kjo që po ndodh është betejë për jetë a vdekje e Edi Ramës, frikë dhe tmerr nga Erion Veliaj. Pse e ka frikë dhe tmerr? Sepse Erion Veliaj di më shumë se çdo shqiptar tjetër për Edi Ramën,” u shpreh ai.

Berisha e quajti vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e zgjedhjeve në Tiranë një sinjal të fortë ndaj qeverisë dhe paralajmëroi se opozita “nuk do të ndalet përballë abuzimeve të pushtetit dhe shkeljeve të Kushtetutës”.