
Deputetja e PD-së, Jozefina Topalli, e cilësoi vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja si një ngjarje tronditëse dhe pa precedent. “As kartelet e Ekuadorit apo mafia italiane nuk kanë vrarë një gjyqtar në zyrën e tij, gjatë shpalljes së vendimit,” deklaroi ajo në Kuvend.
Topalli kërkoi që Parlamenti të nxisë një reflektim kombëtar, duke e konsideruar vrasjen si një sinjal alarmi për shtetin dhe sistemin e drejtësisë.
“E filluat seancën plenare me një minutë heshtje, është minimalja që bëtë. Mendoj se vrasja e gjyqtarët në zyrën e tij është e paprecedentë.
As kartelet e Ekuadorit nuk kanë vrarë një gjyqtarë në zyrën e tij, kur ka lexuar vendimin. As mafia italiane nuk e ka bërë.
Minimumi që ne mund të bëjmë ne si Parlament, është që të fillojmë një moment reflektimi kombëtar. Relativizmi që kërkojnë t’i bëjnë kësaj vrasje, është alarm i madh për të gjithë, por edhe të gjithë shtetin. Por në një vend që ka ministria dhe nuk ka shtet, ka ligje dhe nuk ka drejtësi, në një vend ku presidenti nuk respekton vendimin e Gjykatës Kushtetutës, çfarë emri t’i vëmë?
Me vrasjen e gjyqtarit, në vendin tonë është vrarë iluzioni se në këtë vend ka shtet. Nëse nuk reflektojmë, ky vend do shkojë në humnerë”, u shpreh Topalli.