Institucionet financiare jobanka të huadhënies e kanë mbyllur edhe gjysmën e parë të këtij viti me rezultat financiar pozitiv. Sipas informacionit të Bankës së Shqipërisë, të marra së bashku këto institucione për 6-mujorin 2025 raportuan një fitim neto prej 3 miliardë lekësh.
Fitimi i këtij segmenti të tregut financiar, gjithmonë sipas Bankës së Shqipërisë, është shumë pranë nivelit të një viti më parë. Në këtë rezultat përfshihet fitimi i institucioneve të licencuara për kredidhënie, mikrokredi, qira financiare, faktoring dhe blerje kredish me probleme, pa përfshirë institucionet e parasë elektronike dhe ato të pagesave.
Sipas informacionit nga Banka e Shqipërisë, aktualisht në treg veprojnë 24 institucione financiare jobanka me aktivitet në fushën e huadhënies. Ky sektor ka vijuar zgjerimin në gjysmën e parë të vitit. Totali i aktiveve të tyre u shtua me rreth 2 miliardë lekë (2.7%), duke arritur në nivelin e 77 miliardë lekëve. Me bazë vjetore, totali i aktiveve të sektorit është rritur me 13.2%.
Portofoli i kredisë së këtyre institucioneve në pjesën më të madhe u takon individëve, me 61% të totalit. Në një masë të madhe, kjo strukturë e portofolit reflekton zgjerimin e shpejtë të mikrokredisë konsumatorë në vitet e fundit, veçanërisht të kredive të shpejta. Cilësia e portofolit të kredisë gjithashtu ka një tendencë në përmirësim të lehtë. Raporti i kredive me probleme në mesin e vitit ra në nivelin 12%, nga 12.2% në fund të 2024 dhe nga 12.8% që kishte qenë një vit më parë.
Biznesi i institucioneve financiare të huadhënies dhe në veçanti ai i mikrofinancës ka ndjekur një cikël pozitiv rritjeve në vitet e fundit. Megjithatë, që prej fillimit të këtij viti, ka nisur aplikimi i pakete rregulloresh që pritet të frenojë rritjen e segmentit të mikrofinancës konsumatore.
Këto rregullore kanë ndikim kryesisht tek një grup kompanish që kanë në fokus të biznesit kreditë e vogla konsumatorë. Që nga fillimi i vitit, një institucion financiar jobankë nuk lejohet të japë në të njëjtën kohë më shumë se dy kredi konsumatore për të njëjtin huamarrës. Gjithashtu, është përcaktuar edhe një nivel tavan në raportin e shërbimit të borxhit kundrejt të ardhurave (DSTI), që do të llogaritet si vlera e totalit të kësteve mujore të kredive ekzistuese, duke përfshirë edhe kredinë për të cilën po aplikohet, të pjesëtuar me të ardhurat neto të të gjithë bashkëkredimarrësve.
Vlera e raportit të shërbimit të borxhit kundrejt të ardhurave nuk duhet të tejkalojë vlerën prej 60%. Rregullorja e re gjithashtu përcakton se institucioni financiar, përpara se të lidhë një kontratë kredie dhe gjatë procesit të monitorimit të kredisë në kohëzgjatjen e saj, duhet të vlerësojë aftësinë paguese dhe profilin e rrezikut të kredimarrësit, bazuar në të dhëna të mjaftueshme, të sakta dhe të përditësuara.Subjekti duhet të kryejë verifikime të arsyeshme dhe të ndërmarrë hapa të nevojshme për të verifikuar informacionin në lidhje me burimin e aftësisë paguese, në rastet e kredimarrësve që janë të vetëpunësuar ose kanë të ardhura sezonale ose të ardhura të tjera të parregullta. / E.Shehu
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor
