Vendosni fjalën kyçe....

Trump kërkon arrestimin e kryebashkiakut të Çikagos dhe Guvernatorit të shtetit


Presidenti Donald Trump deklaroi të mërkurën se guvernatori i Illinois-it dhe kryebashkiaku i Çikagos, të dy demokratë, duhet të burgosen për kundërshtimin e tyre ndaj vendosjes së trupave të Gardës Kombëtare në qytetin e tretë më të madh të SHBA-së, si pjesë e fushatës së tij kundër emigracionit dhe krimit. Zyrtarët lokalë thanë se nuk do tërhiqen, shkruan AP.

Presidenti republikan e bëri komentin përmes një postimi në rrjetin e tij social, Truth Social, duke thënë se kryebashkiaku Brandon Johnson dhe guvernatori JB Pritzker “duhet të jenë në burg për dështimin e tyre në mbrojtjen e oficerëve të ICE”, duke iu referuar Agjencisë së Emigracionit dhe Doganave të SHBA-së.

Ndërkohë, trupa ushtarake me uniforma që mbanin stemën e Gardës Kombëtare të Teksasit u panë në Qendrën Rezervë të Ushtrisë Amerikane në Elëood, Illinois, një periferi e Çikagos, më 8 tetor 2025.

Brandon Johnson, kryebashkiaku i Çikagos, shkroi në X:

“Kjo nuk është hera e parë që Trump përpiqet të arrestojë padrejtësisht një burrë me ngjyrë. Nuk kam ndërmend të tërhiqem.”

Kurse JB Pritzker, guvernatori i Illinois-it, tha:

“Nuk do tërhiqem. Trump tani po kërkon arrestimin e përfaqësuesve të zgjedhur që po i kontrollojnë pushtetin. Çfarë tjetër ka mbetur në rrugën drejt autoritarizmit të plotë?”

Këto reagime erdhën pas deklaratës së Presidentit Trump, i cili kërkoi që të dy zyrtarët të burgosen për kundërshtimin e tyre ndaj vendosjes së Gardës Kombëtare në Çikago. Të dy zyrtarët e kanë cilësuar këtë si një sulm ndaj demokracisë dhe një përpjekje për të shtypur zërat opozitarë.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Abigail Jackson, kur u pyet se cilat krime besonte presidenti Trump se kishin kryer guvernatori JB Pritzker dhe kryetari i bashkisë Brandon Johnson, tha se ata “kanë gjak në duar”, duke iu referuar një raporti të Departamentit të Policisë së Çikagos, sipas të cilit të paktën pesë persona u vranë dhe 25 të tjerë u qëlluan me armë gjatë fundjavës.

Jackson shtoi:

“Në vend që të marrin masa për të ndalur krimin, këta të marrë të fiksuar pas urrejtjes ndaj Trump-it preferojnë të lejojnë dhunën të vazhdojë dhe të sulmojnë Presidentin që po përpiqet ta bëjë qytetin e tyre të sigurt sërish.”

Ndërkohë, trupat e Gardës Kombëtare nga Teksasi janë pozicionuar jashtë Çikagos, pavarësisht një padi të ngritur nga shteti dhe qyteti për të ndaluar dislokimin e tyre.