Vendosni fjalën kyçe....

Shtëpia e Bardhë: Bisedimet për armëpushim në Gaza në një “fazë kritike”, marrëveshja e parë pranë finalizimit


Bisedimet për armëpushim në Gaza, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, janë në një “fazë kritike” dhe një marrëveshje për fazën e parë mund të arrihet së shpejti, sipas zyrtarëve amerikanë dhe izraelitë.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë deklaroi për Sky News Arabia se planet e Presidentit Donald Trump për të ndalur luftën janë në diskutim dhe ekziston një optimizëm i kujdesshëm, përcjell Ynet.

Një zyrtar izraelit tha se palët po afrohen drejt një marrëveshjeje për fazën e parë të planit të Trump, edhe pse mbeten mosmarrëveshje mbi disa pika kryesore.

Gazeta saudit Al Hadath raporton se Izraeli kërkon të rishikojë hartën e tërheqjes në fazën e parë, ndërsa presioni i paprecedent i vendeve arabe mbi Hamasin po shton mundësinë e arritjes së marrëveshjes.

Përfaqësuesit e Katarit dhe Turqisë që marrin pjesë në negociata japin impakt të madh për përparimin e diskutimeve, duke ngushtuar hapësirën e manovrës së kryeministrit Netanyahu.

Megjithatë, çështje të ndjeshme mbeten të pazgjidhura, përfshirë rrugët dhe shkallën e tërheqjes së ushtrisë izraelite nga Gaza, dorëzimin e të gjitha pengjeve palestineze nga Hamas, si dhe shpërndarjen e ndihmave humanitare.

 Palët gjithashtu nuk kanë arritur ende dakordësi mbi detajet e shkëmbimit të të burgosurve dhe afatet për lirimin e tyre.

Presidenti egjiptian Abdel Fattah el-Sisi ka ftuar Trump-in që të marrë pjesë në nënshkrimin formal të marrëveshjes në Egjipt kur të arrihet marrëveshja, ndërsa përpjekjet diplomatike të Trump-it vazhdojnë, duke përfshirë përdorimin e ndikimit të tij mbi liderët arabë për të bindur Hamasin të pranojë armëpushimin.

Negociatat aktualisht zhvillohen në Sharm el-Sheikh, ku për herë të parë janë të pranishëm të gjithë aktorët kryesorë, përfshirë këshilltarët e Trump-it, ministrin izraelit të Çështjeve Strategjike Ron Dermer, kryeministrin e Katarit Mohammed Al Thani dhe shefin e inteligjencës turke Ibrahim Kalin.

Sipas burimeve diplomatike, atmosfera është “shumë pozitive” dhe ka shpresa se raundi aktual mund të prodhojë një marrëveshje për ndalimin e luftimeve dhe shkëmbimin e pengjeve.

Palët po tregojnë fleksibilitet më të madh se më parë, ndërsa shtohet presioni për të vendosur fundin e luftës.