
Katër persona kanë vdekur në kryeqytetin spanjoll, Madrid, kur një ndërtesë shumëkatëshe në ndërtim e sipër u shemb pjesërisht.
Trupat e dy personave të raportuar si të zhdukur u nxorën nga rrënojat e ndërtesës herët të mërkurën në mëngjes, thanë shërbimet e emergjencës së Madridit në një postim në X.
Ekipet e shpëtimit kishin gjetur dy trupa të tjerë pak para mesnatës.
Punëtorë nga Mali, Guinea dhe Ekuadori ishin midis të vdekurve, sipas agjencisë spanjolle të lajmeve EFE.
Të paktën tre persona u plagosën, njëri prej të cilëve po trajtohet në spital për një frakturë në këmbë.
Është shumë herët për të ditur shkakun e shembjes së ndërtesës
Sipas EFE dhe mediave lokale, thuhet se në ndërtesë punonin rreth 30-40 persona, e cila po rinovohej për t’u bërë një hotel me katër yje.
“Disa struktura të tavanit të ndërtesës, e cila ishte duke u rinovuar, u shembën”, u tha gazetarëve Beatriz Martin, zëdhënëse e shërbimeve të emergjencës së Madridit, shkruan DW.
Ishte ende shumë herët për të folur për shkakun e aksidentit, tha Martin.
Por, për shkak se është një aksident në vendin e punës, Policia Gjyqësore e Madridit është “përgjegjëse për hetimin e incidentit”, thanë shërbimet e emergjencës së Madridit në një postim tjetër në X.
Orë para gjetjes së trupave, kryebashkiaku i Madridit, Jose Luis Martinez-Almeida, tha se kërkimi për të zhdukurit në rrënoja është një “detyrë komplekse dhe e vështirë”, duke shtuar se qentë e policisë ishin thirrur për të ndihmuar.
Dëshmitarë dhe kalimtarë raportuan se dëgjuan një shpërthim të fortë dhe panë tym të dendur kur ndërtesa u shemb rreth orës 13:00 sipas orës lokale (11:00 GMT/UTC).
“Tingëllonte si një bombë”, tha një punonjës në një furrë buke aty pranë për transmetuesin spanjoll RTVE.