Vendosni fjalën kyçe....

Trump pret kryeministrin kanadez në Shtëpinë e Bardhë për të biseduar mbi marrëveshjet e mundshme rreth tarifave tregtare


Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja kanë një “konflikt natyral” në fushën e tregtisë, ndërsa priti në Shtëpinë e Bardhë kryeministrin kanadez Mark Carney, në përpjekje për të arritur një marrëveshje që do të ulte tarifat tregtare mes dy vendeve, përcjell BBC.

Gjatë takimit në Zyrën Ovale, Carney u shpreh se “ne do të arrijmë marrëveshjen e duhur”, ndërsa përballet me presion të brendshëm politik për të siguruar ulje të tarifave dhe mbrojtje të industrive vendase.

Presidenti Trump, nga ana e tij, sinjalizoi optimizëm për ecurinë e bisedimeve, duke thënë se “mendoj se do të largohen shumë të kënaqur”.

Tensionet tregtare mes dy vendeve janë rritur ndjeshëm muajt e fundit. Në gusht, administrata Trump rriti tarifat mbi mallrat kanadeze në 35%, edhe pse shumë produkte vijojnë të jenë të përjashtuara nën marrëveshjen aktuale të tregtisë së lirë.

Në përgjigje, Kanadaja vendosi tarifa hakmarrëse ndaj eksporteve amerikane, duke përfshirë produkte të sektorëve të çelikut, aluminit dhe bujqësisë.

Megjithëse asnjë detaj konkret nuk është bërë publik mbi ecurinë e negociatave, pritshmëritë janë që të dyja palët të kërkojnë një kompromis që shmang përshkallëzimin e luftës tregtare, e cila mund të dëmtojë ekonomitë e të dy vendeve.