Vendosni fjalën kyçe....

Shehaj: PD na tradhtoi në negociatat për kandidatin opozitar, por do mbështesim Binajn deri në fund



Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, në një lidhje direkte në emisionin Opinion të gazetarit Blendi Fevziu, ka deklaruar se është ndjerë i tradhtuar nga Partia Demokratike, për shkak të mënyrës se si është përzgjedhur kandidati i përbashkët i opozitës për Bashkinë e Tiranës.

Shehaj tha se PD, përmes liderit të saj Sali Berisha, shpalli në mënyrë të njëanshme mbështetjen për aktorin e njohur Florjan Binaj, pa u konsultuar me partitë e tjera opozitare që ishin ende në negociata.

“U mbyll në mënyrën më të keqe të mundshme. Na prenë në besë. PD na preu në besë sepse na thanë propozimi është i mirë, hajde flasim për emra. Pastaj dolën e thanë emrin, po deshët mbështeteni, po deshët jo.”, deklaroi Shehaj.

Ai theksoi se Partia Mundësia kishte propozuar Ermal Hasimjan si kandidat të mundshëm dhe ishte krenar për këtë alternativë, por për hir të unitetit opozitar dhe për të respektuar parimin e një kandidati jo politik, do të mbështesin Florjan Binajn.

“Ne do mbështesim kandidatin jo politik ashtu siç kemi premtuar. Do mbështesim Binajn, pavarësisht se nuk është kandidati që kemi propozuar, por do ta mbështesim deri në fund. Madje, sikur të kishte qenë kandidati ynë!”, tha ai.

Shehaj nënvizoi se emri nuk ka qenë kurrë kusht, por parimi që opozita të dalë me një figurë të jashtëm politikës, me integritet dhe mbështetje qytetare.

Kreu i Partisë Mundësia shprehu bindjen se kandidatura e Florjan Binajt mund të sjellë rezultatin më të mirë për opozitën në 12 vitet e fundit, nëse të gjithë faktorët opozitarë angazhohen seriozisht.

“Ka shumë shqiptarë që janë të vetëdijshëm për rrezikun e përqendrimit të pushtetit në një dorë të vetme. Ka dëshirë për ndryshim dhe Binaj e përfaqëson këtë shpresë,” deklaroi Shehaj.

Gjithashtu, ai i dha një këshillë publike Florjan Binajt, duke i kërkuar që të jetë vetvetja dhe të mos bëhet politikan:

“Florjan Binaj nuk duhet të bëjë politikanin, por të jetë vetvetja! Të mos japë deklarata si politikan, por të qëndrojë me qytetarët në krah.”

Në fund, Agron Shehaj theksoi se të gjithë ata që mbështesin publikisht kandidaturën e Binajt duhet të mbajnë përgjegjësi për rezultatin, përfshirë edhe vetë atë.