
Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në konferencën ndërkombëtare “Walk21”, e cila në edicionin e saj të 25-të ka mbledhur në Tiranë ekspertë nga e gjithë bota për të ndarë ide dhe përvoja mbi zhvillimin e politikave që nxisin ecjen si mënyrë të përditshme të jetesës urbane.
Në fjalën e tij, Rama theksoi rëndësinë e lirimit të hapësirave publike nga zaptimet dhe mbingarkesat urbane, duke nënvizuar se puna për këtë proces po vijon çdo ditë.
Ai tha se Shqipëria ka bërë përparime të mëdha në infrastrukturë dhe hapësira për këmbësorët, por shtoi se ende mbetet shumë për të bërë për t’i kthyer qytetet tek njerëzit.
“Duhet të luftojmë çdo ditë për të hequr strukturat e përkohshme që kanë zënë trotuare dhe hapësira publike, ku janë vendosur tavolina dhe karrige pa fund për të servirur ekspresin – që e kemi më të mirin – por ky nuk është justifikim,” tha Rama.
Ai shtoi se qeveria është e përkushtuar që të zgjerojë gjelbërimin dhe të rrisë cilësinë e jetesës urbane.
“Çdo ditë po marrim pas hapësirat dhe duam të shtojmë më shumë pemë dhe gjelbërim në qytet. Kushdo që merr leje ndërtimi duhet të kontribuojë në fondin e gjelbër me pemë,” u shpreh kryeministri.
Konferenca “Walk21” konsiderohet si një nga forumet më të rëndësishme ndërkombëtare për politikat e lëvizshmërisë urbane dhe zhvillimit të qëndrueshëm të qyteteve, duke vënë në qendër rëndësinë e ecjes si mënyrë jetese dhe si mjet për përmirësimin e shëndetit publik, mjedisit dhe komunitetit.