Pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste, janë konfirmuar zyrtarisht të gjithë kandidatët e mazhorancës që do të garojnë në zgjedhjet e pjesshme vendore të 9 nëntorit, të cilat do të zhvillohen në gjashtë bashki të vendit.
E para që u bë publike që një muaj më parë ishte Ogerta Manastirliu, e cila do të garojë për bashkinë Tiranë, pasi u përzgjodh personalisht nga kryeministri dhe kryetari i PS-së, Edi Rama, gjatë Asamblesë Kombëtare të partisë.
Në mbledhjen e sotme, Kryesia e PS-së miratoi edhe pesë kandidaturat e tjera të mazhorancës:
Tepelenë – Gramoz Sako, kandidatura e shpallur nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.
Vlorë – Brunilda Mersini, deputetja socialiste që do të përfaqësojë PS-në, e prezantuar nga kryetari i grupit parlamentar Bledi Çuçi.
Berat – Ervin Ceca, aktualisht kryetar i komanduar i bashkisë, i cili do të kërkojë një mandat të plotë. Emri i tij u bë publik nga ish-kryebashkiaku Ervin Demo.
Cërrik – Florenc Doka, emër i shpallur nga sekretari shtetëror Arbjan Mazniku.
Mat – Altin Bojni, i konfirmuar nga sekretari i përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, pas disa javësh përfoljesh si kandidati i mundshëm.
Zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit do të zhvillohen në këto gjashtë bashki pas vakancave të krijuara nga dorëheqjet apo përfundimi i mandateve të kryetarëve aktualë.
Me këtë vendim, Partia Socialiste ka finalizuar plotësisht përgatitjet për garën lokale, ndërsa pritet që fushata elektorale të nisë zyrtarisht në javët e ardhshme.
