
Kryeministri i pestë i Macron jep dorëheqje pas vetëm 27 ditësh në detyrë, ndërsa Franca përballet me tronditje politike që po ndikojnë edhe tregjet financiare, përcjell REL.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i ka dhënë një afat prej 48 orësh kryeministrit Sebastien Lecornu për të formuluar një plan që do të mund të shpëtojë ekzekutivin, vetëm pak orë pasi ky i fundit ofroi dorëheqjen më 6 tetor.
Lecornu dha dorëheqjen 14 orë pasi shpalli përbërjen e kabinetit të tij dhe pak orë para se të mbante mbledhjen e parë të qeverisë. Gjatë mbrëmjes, ai zhvilloi një takim me Macronin, i cili vendosi t’i japë dy ditë kohë për të negociuar një platformë stabiliteti me forcat politike.
“Kam pranuar, me kërkesë të presidentit, të mbaj diskutimet përfundimtare me forcat politike për stabilitetin e vendit. Të mërkurën në mbrëmje do t’i komunikoj kreut të shtetit nëse kjo është e mundur apo jo, në mënyrë që ai të mund të nxjerrë të gjitha përfundimet e nevojshme”, shkroi Lecornu në platformën X.
Zyra e Macronit konfirmoi vendimin dhe tha se presidenti është “i gatshëm të marrë përgjegjësitë”, në rast se diskutimet dështojnë – duke lënë të kuptohet se zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë një opsion real.
Sebastien Lecornu ka hyrë tashmë në histori si kryeministri që ka qëndruar më pak në detyrë në Francën moderne – vetëm 27 ditë. Në deklaratën e dorëheqjes, ai tha se “nuk janë përmbushur kushtet që unë të kryej funksionin si kryeministër”, duke përmendur si arsye “oreksin partiak” të fraksioneve që, sipas tij, bllokojnë punën e Qeverisë.
Dorëheqja e tij e thellon krizën politike në Francë, e cila zgjat tashmë më shumë se një vit, që nga zgjedhjet e parakohshme të verës 2024. Ato zgjedhje, të thirrura nga vetë Macron, rezultuan në një Parlament të bllokuar dhe pa shumicë të qartë.
Pas zhvillimeve në Paris, tregjet reaguan me shqetësim. Indeksi kryesor i aksioneve në bursën franceze ra me 1.4%, duke reflektuar pasigurinë politike.
Një zëdhënës i Qeverisë gjermane deklaroi se “një Francë e qëndrueshme përbën një kontribut të rëndësishëm për stabilitetin në Evropë”, duke nënvizuar rëndësinë rajonale të situatës në Paris.
Ndërkohë, liderja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, reagoi menjëherë pas lajmit për dorëheqjen e Lecornut, duke thënë se “do të ishte vendim i mençur që presidenti Macron të jepte dorëheqje”. Ajo përsëriti gjithashtu thirrjen për zgjedhje të parakohshme, të cilat i quajti “absolutisht të domosdoshme”.
Kriza politike vjen më pak se dy vjet para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2027, të cilat pritet të jenë vendimtare për drejtimin e ardhshëm të Francës. Ekstremi i djathtë, me Le Pen në krye, ndjen se ka shansin më të mirë ndonjëherë për të marrë pushtetin.