Vendosni fjalën kyçe....

Kosova tregon se plani i Donald Trump-it për Gazën mund të funksionojë


Plani i Presidentit Donald Trump për të përfunduar luftën në Gaza ofron diçka të rrallë: një rrugëdalje për njerëzit, si të Gazës, ashtu edhe të Izraelit. Propozimi me 20 pika do kërkojë detajim dhe negociata të mëtejshme, por ai adreson nevojat afatshkurtra për ndalimin e bombardimeve dhe vrasjeve, kthimin e pengjeve izraelite dhe lirimin e të burgosurve palestinezë. E rëndësishme është se ai ofron gjithashtu një formulë afatmesme për një administratë të përkohshme që mund të hapë një epokë të re paqeje për palestinezët dhe Izraelin.

Një element kyç i planit parashikon që Gaza të administrohet “nën qeverisjen e përkohshme kalimtare të një komiteti palestinez teknokratik dhe apolitik”, i përbërë nga “palestinezë të kualifikuar dhe ekspertë ndërkombëtarë”, me mbikëqyrje nga një trup ndërkombëtar kalimtar, “Bordi i Paqes”, i kryesuar nga Trump  dhe me Sir Tony Blair, ish-kryeministër britanik, që luan një rol qendror.

Ky lloj bordi i përkohshëm qeverisës nuk është një ëndërr e parealizueshme. As nuk është, siç kanë sugjeruar disa, një mbetje nga e kaluara koloniale. Ai mund të funksionojë. Shembulli i vendit tim, Kosova një shtet dy herë më i madh se territoret palestineze dhe me një popullsi pak më të vogël se Gaza  tregon pse nisma e Trump meriton mbështetje.

Kur, në fund të viteve 1990, Kosova përballoi shkatërrimin nga regjimi i Slobodan Millosheviçit, gjë që çoi në bombardimet e NATO-s ndaj makinerisë ushtarake serbe, shumë skeptikë dyshonin se paqja mund të mbijetonte ose se mund të kishte pajtim në atë pjesë të Ballkanit pas kaq shumë gjakderdhjeje.

Megjithatë, fuqitë perëndimore vepruan shpejt për të krijuar një administratë të përkohshme nën mandatin provizor të OKB-së. Ajo udhëhiqej nga figura ndërkombëtare me besueshmëri si Sergio Vieira de Mello, një diplomat brazilian me përvojë të madhe, dhe Bernard Kouchner, ish-ministër i Jashtëm i Francës.

Misioni i përkohshëm në Kosovë (UNMIK) shpejt tregoi vlerën e tij. Udhëheqja shqiptare e Kosovës përfitoi nga kjo mundësi dhe u pajtua për demilitarizimin e guerrilasve pro-perëndimorë.

Por ishte administrata ndërkombëtare e përkohshme ajo që menaxhoi rindërtimin, hapi territorin ndaj angazhimit global dhe, më e rëndësishmja, përgatiti terrenin për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Nga kaosi, Kosova filloi të ndërtonte institucione demokratike që lejonin popullin e saj të kontrollonte fatin e vet. Disa vende kontribuan me ekspertizën e tyre: diplomati kryesor i Norvegjisë, Kai Eide, ndihmoi në krijimin e një force policore profesionale; Amerika ndihmoi në ndërtimin e sistemeve moderne bankare dhe të drejtësisë (përveç ofrimit të trupave për misionin KFOR të NATO-s); BE-ja financoi rindërtimin fizik dhe mbështetjen e biznesit; OSBE organizoi zgjedhje të lira dhe të pavarura; dhe KFOR siguroi sigurinë e përgjithshme.

Edhe pse paralelizmat nuk janë të përsosura  Kosova ekziston në skajet e BE-së, ku vendet e pasura, paqësore dhe demokratike janë të gjithë të interesuara për suksesin e saj plani i  Trump për Gazën ka jehonë nga ky model i provuar.

Në mënyrë inkurajuese, plani duket se gjen një ekuilibër të kujdesshëm midis pronësisë lokale dhe ekspertizës ndërkombëtare.

Duke marrë parasysh rolet kyçe për figura si Tony Blair, i cili ka përvojë të thellë, edhe pse polemiezue, në Lindjen e Mesme si dhe status heroik në Kosovën me shumicë myslimane pas rolit të tij në fushatën ajrore të NATO-s në 1999 përkrah figurave palestineze me besueshmëri, propozimi për paqe mund të shmangë perceptimin e dominimit nga të huajt.

Sa më e gjerë të jetë koalicioni i palëve të interesuara, aq më e vogël është mundësia që projekti të bjerë pre e intrigave në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ose të tërhiqet në kaosin e politikës palestineze.

Ka edhe elementë të tjerë të precedentit të Kosovës që shpjegojnë pse Tony Blair dëshiron të mbështetet në përvojën atje për të hartuar plane për një autoritet kalimtar në Gaza. Misioni i përkohshëm në Kosovë shpejt kombinoi legjitimitetin e figurave dhe organizatave ndërkombëtare me njohuritë dhe mbështetjen e udhëheqësve lokalë nga të gjitha spektrat politike. U ndërmorën përpjekje për të siguruar ekuilibër gjinor, etnik dhe fetar.

Në Gaza, një trup i tillë hibrid duhet të fillojë rindërtimin e ekonomisë së shkatërruar, duke kanalizuar burimet për rindërtim dhe duke siguruar që realitetet politike dhe ndjeshmëritë kulturore të respektohen. Bair sjell prestigj dhe përvojë në skenën ndërkombëtare; udhëheqësit palestinezë sjellin përvojën e përditshme dhe kredibilitetin lokal të nevojshëm për të lidhur dhe përfaqësuar popullin e Gazës.

Forca përfundimtare e planit të Trump qëndron në premtimin e tij për një rrugë drejt paqes, edhe pse ende jo e qartë plotësisht. Brenda planit është përfshirë një marrëveshje me vendet arabe që populli i Gazës nuk do lihet në baltë dhe se ata kanë të drejtën të qëndrojnë në tokën e tyre të lashtë. Çelësi do jetë të shihet administrata e përkohshme dhe Bordi i Paqes si një proces, jo si një destinacion.

Kjo do të thotë të organizohen zgjedhje demokratike, të vendoset qeverisja në duar të drejta palestineze dhe të jepen garanci të forta për sigurinë e Izraelit.

Kosova na mëson se një qartësi e tillë është thelbësore. UNMIK-u arriti sukses menjëherë pas luftës vetëm sepse misioni i tij ishte transparent: të stabilizonte institucionet ekzistuese dhe të ndërtonte të reja sipas nevojës.

Por kosovarët u shqetësuan kur kalimi u ngadalësua, teksa burokracia e përkohshme e OKB-së filloi të merrte nuanca të përhershmërisë. U hartua një proces dhe filluan negociatat për statusin përfundimtar  dhe Kosova nuk u shkatërrua kur misioni i përkohshëm u përfundua. Ajo u bë e pavarur nën një plan të udhëhequr nga ish-presidenti i Finlandës, Martti Ahtisaari, për të cilin ai fitoi Çmimin Nobel për Paqen. Habit fakti se sot Kosova është një nga destinacionet më të sigurta në Evropë, sipas Gallup-it.

Lufta në Gaza është e tmerrshme. Pajtimi i vërtetë mund të mos vijë kurrë. Por plani i Trump-it është pragmatik dhe i bazuar në precedent. Është pikërisht ajo që njerëzit e Gazës kanë nevojë.

VINI RE: Ky artikull është pronësi intelektuale e The Economist