Vendosni fjalën kyçe....

Gratë mbartin rrezik më të lartë gjenetik për depresion, zbulon studimi


Një studim i ri ndërkombëtar ka zbuluar se gratë kanë një ngarkesë më të madhe gjenetike për depresion sesa burrat, duke identifikuar 16 variante gjenetike të lidhura me depresionin tek femrat dhe vetëm 8 tek meshkujt, përcjell Guardian.

Studimi, i udhëhequr nga Instituti Australian i Kërkimeve Mjekësore QIMR Berghofer, u publikua të mërkurën në revistën Nature Communications dhe cilësohet si hulumtimi më i madh deri më sot mbi ndryshimet gjinore në depresionin madhor.

Sipas autorëve, një pjesë e madhe e varianteve gjenetike janë të përbashkëta mes gjinive, por tek gratë u vu re një “ngarkesë më e lartë rreziku”, e cila mund të vijë nga variante gjenetike specifike për femrat.

“E dimë se gratë kanë dyfish më shumë gjasa të vuajnë nga depresioni gjatë jetës sesa burrat. Por deri tani, ka pasur pak kërkime të qëndrueshme që shpjegojnë pse depresioni shfaqet ndryshe tek secili seks, përfshirë rolin e mundshëm të gjenetikës,” – shpjegon Dr. Brittany Mitchell, studiuese e lartë në laboratorin e epidemiologjisë gjenetike të QIMR Berghofer.

Studiuesit analizuan të dhëna gjenetike nga pesë grupe ndërkombëtare – në Australi, Holandë, Shtetet e Bashkuara dhe dy nga Mbretëria e Bashkuar – me një total prej 130,471 grave dhe 64,805 burrave me diagnozë depresioni, si dhe 159,521 gra dhe 132,185 burra pa diagnozë.

Ata gjetën gjithashtu lidhje më të forta gjenetike tek gratë midis depresionit dhe karakteristikave metabolike, si indeksi i masës trupore (BMI) apo sindroma metabolike, krahasuar me burrat.

“Këto dallime gjenetike mund të shpjegojnë pse gratë me depresion përjetojnë më shpesh simptoma metabolike si ndryshime në peshë apo nivele energjie,” – tha Dr. Jodi Thomas, autore kryesore e studimit.

Autorët theksojnë se depresioni ndikohet edhe nga faktorë socialë, sjellorë dhe mjedisorë, si p.sh. ekspozimi më i lartë i grave ndaj dhunës seksuale apo fakti që burrat kërkojnë më rrallë ndihmë mjekësore, duke çuar në nën-diagnostikim.

Megjithatë, ata propozojnë se një komponent i rëndësishëm biologjik mund të qëndrojë në bazë të këtyre dallimeve.

Studiuesit theksuan gjithashtu se mostrat e tyre përfshinin vetëm individë me preardhje evropiane, duke kufizuar vlefshmërinë e gjetjeve për popullata të tjera.

Prof. Philip Mitchell, nga Universiteti i Uellsit të Ri Jugor (UNSW), i cili nuk ishte pjesë e studimit, e cilësoi këtë si “një studim novator që forcon idenë se dallimet mes gjinive në depresion mund të jenë kryesisht biologjike”.

“Ky hulumtim ofron prova të forta se shkalla më e lartë e depresionit tek gratë mund të lidhet me faktorë gjenetikë, me më shumë rajone gjenetike të rrezikut tek femrat sesa tek meshkujt. Kjo mund të çojë në zhvillimin e trajtimeve të ndryshme farmakologjike për gratë dhe burrat në të ardhmen,” – tha Mitchell.