
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Gjermaninë.
Kryebashkiakja e sapozgjedhur e qytetit Herdecke në landin e Nordrhein-Westfalenit, Iris Stalzer, ndodhet në rrezik për jetën pasi është goditur me thikë të martën në banesën e saj.
Sipas mediave gjermane, 57-vjeçarja është gjetur rëndë e plagosur në pjesën e barkut dhe të shpinës.
Në shtëpi ndodheshin dy fëmijët e saj të birësuar, një djalë 15-vjeçar dhe një vajzë 17-vjeçare.
Ata kanë lajmëruar menjëherë shërbimet e urgjencës, ndërsa policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka marrë në pyetje djalin e mitur.
Pamjet e publikuara nga “Bild” tregojnë momentin kur adoleshenti shoqërohet drejt makinës së policisë, me pranga dhe i veshur me një kostum mbrojtës të posaçëm, për të shmangur prishjen e provave. Autoritetet kanë sqaruar se kjo masë është marrë vetëm për ruajtjen e gjurmëve.
Sipas burimeve policore, 15-vjeçari ka deklaruar fillimisht se nëna e tij është sulmuar nga disa burra në rrugë.
Megjithatë, hetuesit po verifikojnë rrethanat e ngjarjes, ndërsa ende nuk dihet nëse sulmi ka pasur ndonjë motiv politik.
Mjekët po luftojnë për ta mbajtur në jetë politikanen e Partisë Socialdemokrate (SPD), e cila vetëm më 28 shtator ishte zgjedhur kryebashkiake e qytetit Herdecke, në lindje të Rajonit të Ruhrit.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Gjermani. Policia ka shpallur alarm të përgjithshëm dhe një njësi e posaçme e hetimit të vrasjeve ka marrë përsipër çështjen.
Sipas raportimeve të mediave vendase, përfshirë “Bild” dhe “WDR”, ende nuk ka të dhëna të qarta mbi motivin apo autorët e mundshëm të sulmit.