Vendosni fjalën kyçe....

Celibashi: Zgjedhjet e 11 majit kishin probleme, por nuk e cënojnë legjitimitetin e qeverisë



Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i ftuar në emisionin Log, ka folur për zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit dhe reagimet që pasuan, veçanërisht nga opozita.

Celibashi pranoi se procesi zgjedhor nuk ka qenë pa të meta, por theksoi se problematikat e evidentuara nuk janë të mjaftueshme për të vënë në dyshim legjitimitetin e qeverisë së dalë nga këto zgjedhje.

“E kuptoj shumë mirë kur opozita i konsideron një farsë. Do të thotë që ka diçka që nuk ka shkuar. Natyrisht që ka pasur gjëra që s’kanë funksionuar siç duhet, por jo në atë masë që të diskutohet legjitimiteti i atyre që qeverisin sot”, u shpreh Celibashi.

Ai vuri në dukje se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si dhe ai vetë në rolin e Komisionerit Shtetëror, janë subjekte të vlerësimit nga vëzhguesit ndërkombëtarë dhe opinioni publik, ndaj çdo koment personal nuk do të ishte i besueshëm në sytë e publikut.

“Nuk ka nevojë për interpretim të dytë. Ajo që ka thënë ODIHR është e qartë dhe e shkruar. Duhet lexuar ashtu siç është. Nëse ODIHR e thotë në një mënyrë, duhet marrë pikërisht ashtu”, theksoi ai.

Duke përmbyllur deklaratën e tij, Celibashi nënvizoi se është i sigurt që qeveria aktuale është produkt i votës së qytetarëve dhe se përfaqëson vullnetin e tyre të shprehur në zgjedhje.