
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar sërish me akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, duke iu referuar deklaratave të ish-këshilltarit të Donald Trump, George Papadopoulos, i cili sipas tij ka thënë se Rama ndodhet “në rreth të kuq”.
Në fjalën e tij, Berisha theksoi se Rama nuk i ka marrëdhënie të mira me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por shtoi se ai po mbrohet nga kryeprokurori i SPAK-ut, Altin Dumani.
“George Papadopoulos, në mandatin e parë, ishte një person që u përpoqën ta korruptonin dhe ta bënin pjesë të vetë sorosianët dhe sorosistët e majtë, por ai qëndroi dhe u përball me burgjet e tyre duke mbetur i vendosur. Zotëria, në intervistën e tij, tha se Edi Rama është në rreth të kuq dhe se nuk shpëton, sepse është një me McGonigal dhe e mbron Altin Dumani,” deklaroi Berisha.
Ai akuzoi Ramën për lidhje me ish-agjentin e FBI-së, Charles McGonigal, duke thënë se “Rama ka hequr dhe ka dhënë licenca nafte në bashkëpunim me të, si dhe e ka paguar për të përndjekur opozitën shqiptare”.
Berisha shtoi se Rama është “pjesë e një komploti të madh kundër SHBA-së”, duke e lidhur atë edhe me çështje të tjera që, sipas tij, përfshijnë “kontakte me kinezët dhe lidhje me kartelet e drogës”.
“Edi Rama është i lidhur kokë e këmbë me dosjen e drogës. Aktualisht, armiku numër një për SHBA janë kartelet e drogës. A e keni parë se si po gjuajnë anijet në ujërat ndërkombëtare? Nëse gjeni në Europë një kryeministër si Edi Rama me klanet e drogës, më thoni a dini ndonjë tjetër që të ketë lidhje të tilla,” përfundoi Berisha.