
Një grup banorësh dhe biznesesh përgjatë bulevardit “Epidamn” në Durrës i janë drejtuar Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku kanë ngritur një padi ndaj ish-ministrave të Kulturës, Elva Margariti dhe Blendi Gonxhe, si dhe ndaj dy përfaqësuesve të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe tre studiove të projektimit që kanë hartuar dhe miratuar projektin urban “TID”.
Sipas BW, zbatimi i këtij projekti parashikon shpronësimin e 74 familjeve dhe bizneseve, ndërsa banorët pretendojnë se procesi është zhvilluar pa një konsultim publik dhe me shkelje ligjore, përfshirë “falsifikimin e materialeve zyrtare”.
“Në vitin 2022 u dha leja e parë e projektit ‘TID’, ndërsa në 2024 u dha një leje e dytë ku numri i pronarëve u reduktua nga 100 në 74. Ky ndryshim tregon se procesi është bërë në mënyrë selektive”, deklaroi arkitektja Entela Koja, e cila përfaqëson një pjesë të banorëve.
Koja shton se, së bashku me pronarë të tjerë të banesave dhe bizneseve, po përgatitet një kërkesë për pezullimin e projektit, pasi plani i zbatimit është ndryshuar disa herë ndër vite, duke selektuar pronat që preken.
“Problemet më të mëdha lidhen me interpretimin klientelist të projektit — disa prona janë klasifikuar si të papërshtatshme për banim për t’u prishur. Ka troje private që shpronësohen për t’u kthyer në hapësira publike, duke lënë familjet e vetme pa strehë. Për më tepër, vlerat e dëmshpërblimit janë qesharake”, tha Koja.
Banorët bëjnë të ditur se kanë pasur letërkëmbime me AADF-në, përfaqësues të Ambasadës Amerikane dhe disa institucione shqiptare, por nuk kanë gjetur zgjidhje. Ata kanë protestuar disa herë edhe përpara Bashkisë Durrës, e cila është bashkëpunëtore në projekt, por thonë se çështja është zvarritur.
Projekti “TID Durrës” parashikon restaurimin dhe rikualifikimin urban të zonës historike, përfshirë Parkun Arkeologjik të qytetit, por mbetet i kontestuar për ndikimin që mund të ketë mbi pronat private dhe banorët ekzistues të zonës.