Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla tha se në mbledhjen e deputetëve socialistë ishte vendosur ngritja e dy komisioneve të posaçme, ai për Reformën Zgjedhore dhe Reformën Territoriale.
“Në përmbyllje të mbledhjes, dua të informoj se grupi i PS do të institucionalizojë në orën 01:00 dy nisma që kanë të bëjnë me ngritjen e dy Komisioneve të Posaçme në Kuvend, i pari Komisioni i Posaçëm për Reformën zgjedhore, traditë prej shumë vitesh që në fillim të çdo legjislature grupi i PS ka qenë nismëtari i ngritjes së këtyre komisioneve të Posaçme për Reformën Zgjedhore. Uroj shumë që komisioni të udhëhiqet nga interesi i përbashkët i të gjithë aktorëve politikë në Kuvend për të përmbyllur rekomandimet e OSBE ODIHR ndër vite, ku do të theksoja mbetet çështja e depolizitimit të Komisioneve Zgjedhore, duke risjellë në vëmendje edhe zgjedhjet e fundit ku formacione të caktuara politike kontestuan punën e komisionerëve apo numëruesve të tyre vunë në dyshim cilësinë e punës së tyre.
Çështja e dytë, ndoshta për disa duket si futuriste, por duhet adresuar në këto ndërhyrje të radhës që do të bëhen në Kodin Zgjedhor. Duhet të kemi nenet përkatëse ose draftin gati të republikës së Shqipërisë s ai përket mbajtjes së zgjedhjeve për PE, sepse në pritshmëritë tona po afrohet momenti ku duhet të ketë edhe anëtarët e vet në PE. Nisma tjetër ka të bëjë me komisionin e Posacëm te Reformës Administrative Territoriale. Projektvendimi i Kuvendit duhet të ketë paritetin e përfaqësimit mes maxhorancës dhe opozitës. Të gjitha rekomandimet duhen parë në një konteskt më shumë se 10–vjeçar për t’i hapur rrugë reformave të reja sa i përket rolit dhe ndarjes administrative territoriale.”, tha Balla.
