
Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka reaguar ashpër pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit në Tiranë.
Në një deklaratë për mediat, Xhixho e cilësoi këtë akt si një nga ngjarjet më të rënda dhe më tronditëse në historinë e institucioneve të drejtësisë në Shqipëri.
“Vrasja e një gjyqtari brenda një salle gjyqi është akti më i rëndë dhe më tronditës që ka ndodhur ndonjëherë në një institucion të drejtësisë shqiptare. Ky krim barbar nuk është vetëm një sulm ndaj një individi, por një atentat i drejtpërdrejtë ndaj vetë sistemit të drejtësisë si pushtet i pavarur,” u shpreh ajo.
Deputetja shtoi se kjo ngjarje është tregues i rënies dramatike të autoritetit të ligjit në vend dhe dështimit të shtetit për të garantuar sigurinë, edhe në institucionet më të mbrojtura.
“Ajo nxjerr në pah mungesën e plotë të kontrollit të shtetit ndaj dhunës. Sot, drejtësia është në zi, por bashkë me të edhe shteti ligjor,” vijon deklarata.
Xhixho dënoi me forcë çdo formë të vetëgjyqësisë, duke e konsideruar një kërcënim serioz për rendin demokratik dhe shtetin e së drejtës.
“Çdo akt vetëgjyqësie është një atentat i rëndë jo vetëm ndaj jetës së një individi, por edhe ndaj drejtësisë dhe vlerave të një shoqërie demokratike,” theksoi ajo, duke kërkuar masa urgjente për garantimin e sigurisë së gjyqtarëve dhe forcimin e autoritetit të institucioneve të drejtësisë.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik dhe radhët e politikës, ndërsa autoritetet janë vënë në lëvizje për të hetuar motivet dhe rrethanat e kësaj vrasjeje të rëndë brenda një salle gjyqi.