Vendosni fjalën kyçe....

Berisha shpall Florian Binajn kandidat të opozitës për Tiranën


Florian Binaj do jetë kandidati që mbështetet nga Partia Demokratike për zgjedhjet e pjesshme lokale në Tiranë.

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Berisha theksoi se Binaj është një artist që mbron kauzat e qytetarëve dhe u bëri thirrje partive aleate që ta mbështesin kandidaturën e Binajt.

Një ditë më parë Binaj mori mbështetjen edhe të partisë Shqipëria Bëhet të Adriatik Lapajt ndërsa nuk dihet ende qëndrimi që do mbajnë partitë e tjera opozitare.

Fillimisht si kandidatë të opozitës në zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës u përfolën emrat e Ermal Hasimes, Edlira Çepanit dhe Florian Haçkës.

Data për zgjedhjet e pjesshme në gjashtë bashki të vendit është dekretuar nga presidenti Begaj për në 9 nëntor, ndërkohë që kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj e ka çuar në Kushtetuese shkarkimin e tij, duke e konsideruar të paligjshëm.

Jam sot këtu për t’u informuar ju dhe qytetarët e Tiranës, dhe mbarë Shqipërisë, se midis kandidaturave shumë të mira që kanë ardhur direkt nga drejtues dhe personalitete të PD, tashmë të bëra publike, për të cilat unë kam vlerësimin më të madh, kandidaturave realisht të personaliteteve të pavarura nga fusha të ndryshme, nga Shqipëria dhe nga diaspora, PD duke falënderuar me mirënjohje secilin prej atyre që vendosi të paraqesë kandidaturën e tij në shërbim të qytetarëve të Tiranës dhe përballjen me të keqen e këtij vendi, që është Edi Rama, informon se grupi i mandatuar nga PD do u paraqesë aleatëve tanë mendimin dhe sugjerimin që të mbështesim së bashku artistin e mirënjohur, personalitetin e shquar të artit, luftëtarin e paepur të kauzave të qytetarëve shqiptarë, komunikatorin e talentuar, e lindur, zotin Florjan Binaj.” – tha Berisha.

“Shpresoj që aleatët, opozitarët, të bashkohemi në këtë mbështetje ndaj një personaliteti me reputacion të gjerë, tek i cili gjejnë veten më shumë se kushdo tjetër të përfaqësuar, qytetarët e Tiranës. Ai ishte për vite e vite me radhë, yll apo superyll i shfaqjes më të shikuar të vendit dhe në çdo rol, interpretimi i tij ishte më i pëlqyeri, ishte i përsosur.

Florian Binaj është nga ata artistë që konsideron kauzat qytetare si kauzat e tij. Dhe të gjithë ju jeni dëshmitarë të betejave që ai ka bërë së bashku me të tjerë në mbrojtje të këtyre kauzave. Ai, së bashku me bashkëpunëtorë, me ekip, kanë ndërtuar dhe paraqesin një nga emisionet investigative më të shikuara, Piranjat, të cilat Edi Rama, i tmerruar, i përzuri nga televizioni ABC dhe u zhvendosën tek televizioni SYRI.

Pra, mund të themi se në këtë kontekst, Florian Binaj, së bashku me ekipin drejtues të Piranjave dhe stafin, janë në linjën e parë të luftës kundër korrupsionit. Kundër kësaj dukurie shkatërrimtare për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ndaj dhe njëherë ftoj aleatët dhe të gjithë opozitarët, ftoj qytetarët të mbështesin këtë kandidaturë si një kandidaturë që i bën nder çdo qytetari dhe kryeqytetit të vendit. Është një “luftëtar” i kauzave qytetare”, shtoi Berisha.