Vendosni fjalën kyçe....

Begaj: Rajoni përballet me sfida sigurie, duhet t’u krijojmë të rinjve kushte për të qëndruar në vend


Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, gjatë takimit të sotëm me liderët e Ballkanit Perëndimor, tha se rajoni po përballet me sfida serioze në fushën e sigurisë, të cilat kërkojnë më shumë bashkëpunim dhe koordinim ndërmjet vendeve.

“Rajoni përballet me sfida të sigurisë, që kërkojnë rritje të bashkëpunimit dhe koordinim mes nesh,” deklaroi Begaj, duke theksuar rëndësinë e dialogut dhe fqinjësisë së mirë si elementë thelbësorë për ruajtjen e paqes, zhvillimin ekonomik dhe integrimin rajonal.

Kreu i shtetit nënvizoi se procesi i integrimit drejt Bashkimit Evropian duhet të shoqërohet me masa konkrete për të krijuar kushte që të rinjtë të qëndrojnë në vend.

Diskutuam për rrugët e bashkëpunimit rajonal, me qëllim krijimin e kushteve që të rinjtë të ndërtojnë të ardhmen në vendin e tyre,” tha Presidenti Begaj, duke e konsideruar Planin e Rritjes së BE-së për rajonin si një mundësi të çmuar për zhvillim ekonomik dhe lehtësim të qarkullimit tregtar.

Ai shtoi gjithashtu se Shqipëria ka bërë “hapa të ndjeshëm dhe të qëndrueshëm” në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. “Brenda një kohe të shkurtër kemi hapur pesë nga gjashtë grupkapitujt negociues, çka përbën një njohje konkrete të përpjekjeve tona,” deklaroi Begaj.