Vendosni fjalën kyçe....

Shirat e rrëmbyeshëm në Nepal lënë 22 viktima dhe 12 persona të zhdukur



Shirat e rrëmbyeshëm që kanë përfshirë Nepalin kanë shkaktuar rrëshqitje dheu, vetëtima dhe përmbytje të befasishme, duke lënë të paktën 22 persona të vdekur dhe 12 të tjerë të zhdukur, sipas autoriteteve lokale.

Në distriktin lindor Ilam, pranë kufirit me Indinë, janë raportuar 18 viktima dhe 7 persona të zhdukur pasi disa fshatra janë përfshirë nga rrëshqitjet e dheut, njoftoi zëdhënësi i policisë, Binod Ghimire për DW.

Mes viktimave janë edhe gjashtë anëtarë të një familjeje që humbën jetën pasi shtëpia e tyre u përfshi nga rrëshqitja gjatë natës, sipas zyrtarëve vendorë.

Zyrtarët deklaruan se deri më tani janë shpëtuar 114 persona, por përpjekjet për ndihmë po vështirësohen nga reshjet e pandërprera dhe rrugët e bllokuara, tha zëvendës administratori i Ilamit, Bholanath Guragai.

Ndërkohë, në pjesën jugore të Nepalit, tre persona humbën jetën nga goditjet e vetëtimës, ndërsa një tjetër u mbyt nga përmbytjet në distriktin Udayapur.

Në kryeqytetin Katmandu, reshjet e dendura kanë përmbytur shtëpi dhe kanë dëmtuar infrastrukturën rrugore. Rrugët kryesore që lidhin qytetin me rajonet e tjera janë bllokuar nga rrëshqitjet.

“Fluturimet vendore janë pezulluar në masë të madhe, por fluturimet ndërkombëtare po vazhdojnë normalisht,” deklaroi Rinji Sherpa, zëdhënës i aeroportit të Katmandus për agjencinë Reuters.

Pamje nga vendi i ngjarjes tregojnë policinë duke ndihmuar në pastrimin e rrugëve në zonën Bafal të Katmandus, ku përmbytjet kanë lënë pas dëme të mëdha.

Departamenti i meteorologjisë ka paralajmëruar se reshjet pritet të vazhdojnë deri të hënën. Si rrjedhojë, qeveria ka shpallur pushim kombëtar deri në atë ditë.

Vitin e kaluar, në të njëjtën periudhë, përmbytjet dhe rrëshqitjet e shkaktuara nga musonet morën jetën e 224 personave dhe lanë 158 të plagosur.