Policia ka nxjerrë videon e 31-vjeçarit Imer Krrashi, i cili u arrestua pasi i iku policisë duke përplasur 9 makina dhe një motor me të cilin udhëtonte një efektiv policie jashtë shërbimit dhe bashkëshortja e tij.
Sipas bluve, Krrashi dyshohej se lëvizte me armë zjarri me vete dhe në çastin që oficeri i ka komunikuar se do i kontrollohej makina, është larguar me shpejtësi.
I riu është ndaluar pak minuta më pas në Unazën e Madhe në drejtim të TEG-ut.
Pas ndalimit, Krrashit i është sekuestruar arma e zjarrit që kishte me vete.
Njoftimi
“Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në vijim të punës për kontrollin e territorit dhe të personave që mund të qarkullojnë me armë zjarri apo të transportojnë lëndë narkotike, bazuar edhe në informacionin e marrë në rrugë operative se një automjet po lëvizte në unazë, në drejtim të TEG-ut, dhe drejtuesi i automjetit mund të ishte i armatosur, rreth orës 12:30, tek Liqeni i Thatë, Forca e Posaçme “Shqiponja” i ka bërë shenjë ndalimi automjetit me drejtues shtetasin I. K., 31 vjeç, pasi kishin marrë informacion se 31-vjeçari qarkullonte me armë zjarri.
Pas ndalimit të automjetit të dyshuar, shërbimet e Policisë i kanë bërë të ditur drejtuesit të automjetit se ndaj tij dhe automjetit do të ushtrohej kontroll. Në momentin që drejtuesi i automjetit është njohur me urdhrin e Policisë, ka refuzuar urdhrin për kontroll dhe është larguar me shpejtësi të madhe, duke rrezikuar punonjësit e Policisë që ishin duke komunikuar me të.
Bazuar në informacionin e marrë se ky shtetas mund të kishte armë me vete, në refuzimin për kontroll nga drejtuesi i automjetit dhe largimin me shpejtësi në drejtim të TEG-ut, shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të automjetit, i cili, për shkak edhe të trafikut të rënduar, ka përplasur 9 automjete dhe 1 motomjet, në të cilin qarkullonin shtetasit E. R., 52 vjeç (punonjës policie jashtë shërbimit) dhe bashkëshortja e tij, shtetasja O. R., 46 vjeçe, të cilët ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë, pas një ndjekjeje intensive, bënë të mundur bllokimin e automjetit dhe të drejtuesit të tij, shtetasit I. K, alias I. M, alias I. U.
Gjatë kontrollit të automjetit, punonjësit e Policisë së Forcës së Posaçme “Shqiponja” gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë.
Shtetasi I. K., me precedent të theksuar kriminal dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, për veprime të mëtejshme procedurale.”
