
Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar në Gjykatën e Posaçme dosjen e grupit kriminal të drejtuar nga Laert Haxhiu, së bashku me anëtarët Kristi Bixheku dhe Artan (Marjus) Tafani.
Laert Haxhiu akuzohet si drejtues dhe organizator i grupit, i cili dyshohet për 14 vepra penale, përfshirë vrasje me paramendim, shkatërrim prone me eksploziv dhe vjedhje me armë. Sipas SPAK, grupi ka kryer këto veprime në periudhën nga prilli 2021 deri në maj 2023, me motive hakmarrjeje për vrasjen e kushëririt të Haxhiut dhe për konfliktet me grupin rival të Aldo Barës.
Disa nga krimet më të rënda përfshijnë vrasjen e Çajup Selimit në Tepelenë dhe Albi (Dijonist) Bashaliut në Peqin, si dhe disa tentativa për vrasje të tjera të organizuara nga ky grup. Përveç vrasjeve, grupi është akuzuar edhe për shkatërrim prone me eksploziv në Lushnjë, Durrës dhe zona të tjera, si dhe vjedhje të automjeteve me armë.
Kristi Bixheku dhe Artan Tafani akuzohen gjithashtu për përfshirje në këto aktivitete kriminale, duke ndihmuar në organizimin dhe kryerjen e veprave penale.
Laert Haxhiu u arrestua në Greqi dhe u ekstradua në korrik 2024, ndërsa ndaj disa anëtarëve të tjerë të grupit, përfshirë Lulzim Spahija (Arapi), Ligor Romaçka, Bledar Berberi dhe Erisiano Abedini, është paraqitur kërkesë për gjykim.
SPAK nënvizon se ky grup kriminal posedonte armë, eksploziv dhe municione në sasi të mëdha dhe i përdorte ato në hapësira publike, duke shkaktuar rrezik të madh për komunitetin.