
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, i cili tha se “të gjithë po përgatiten për luftë” në rajonin e Ballkanit. Osmani e ka quajtur këtë si një “jehonë të rrezikshme të kapitujve më të errët të historisë së kohëve të fundit” dhe ka akuzuar Vuçiçin për promovim të urrejtjes dhe destabilizimit, përcjell REL.
Në një postim në rrjetin X (dikur Twitter), Osmani theksoi se, pavarësisht viteve të përpjekjeve ndërkombëtare për paqe, Vuçiç po vazhdon me taktikat e vjetra të agresionit dhe propagandës, duke e krahasuar sjelljen e tij me atë të Sllobodan Millosheviqit në vitet ’90.
“Vuçiç po flirt me fantazitë destruktive që shkatërruan jetë të pafajshme në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë,” tha Osmani, duke siguruar se Kosova ka zgjedhur rrugën e paqes dhe do ta mbrojë atë me çdo kusht.
Presidenti serb Vuçiç, gjatë Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Kopenhagë, deklaroi se bota “po shkon drejt një konflikti të madh” dhe se ai “e sheh përgatitjen për luftë” në shumë vende, megjithëse nuk dha prova konkrete për këtë.
Osmani gjithashtu i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të mos e shpërblejë Serbinë dhe paralajmëroi për rrezikun e ndikimit të vendeve si Rusia, Kina dhe Irani në Ballkan në mungesë të mbështetjes perëndimore.
Gjatë qëndrimit të saj në SHBA, Osmani gjithashtu ka paralajmëruar për kërcënimet e vazhdueshme nga Serbia dhe ka vlerësuar përpjekjet e administratës Trump për parandalimin e përshkallëzimeve në rajon.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve vazhdon të ngecet, ndërsa Kosova insiston që ai të përfundojë me njohje reciproke.