Vendosni fjalën kyçe....

Dëbora kishte izoluar banorët, hapet rruga drejt Bjeshkës së Javorrit



Bashkia Tropojë ka bërë të ditur se rruga drejt Bjeshkës së Javorrit është hapur, pas një operacioni intensiv nga Drejtoria e Shërbimeve dhe punonjësit e saj, të cilët punuan në kushte të vështira atmosferike për të pastruar dëborën, që në disa zona kishte arritur trashësinë deri në 1 metër.

Për shkak të bllokimit nga dëbora, disa persona ishin izoluar në zonë, por falë ndërhyrjes së shpejtë dhe të koordinuar të ekipeve të emergjencës, ata u transportuan në mënyrë të sigurt dhe u kthyen në banesat e tyre pa probleme shëndetësore.

Në këtë operacion morën pjesë 10 punonjës të Drejtorisë së Shërbimeve dhe 1 punonjës i emergjencave civile. Për pastrimin e rrugës u angazhuan 2 mjete me zinxhirë dhe 1 fadromë e Bashkisë Tropojë.

Autoritetet lokale kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar për shkak të motit të paqëndrueshëm dhe kanë siguruar se do të vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjet e nevojshme në të gjitha akset rrugore të rrezikuara nga dëbora.