
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka dështuar në mbrojtjen dhe fuqizimin e grave, duke theksuar se Shqipëria ka sot nivelin më të ulët të pagave për gratë në rajon.
Gjatë konferencës “Të bësh ndryshimin: nga influencues në vendimmarrës”, Berisha tha se vendi ndodhet në “narko-shtet”, ku pabarazia gjinore dhe dhuna ndaj grave janë në nivelet më të larta.
“Beteja jonë është kundër pabarazisë. Ne arritëm që nga një diferencë prej 36% që ekzistonin mes burrave dhe grave ta çonim në 78%. Arritëm që këtë pabarazi ta ngushtonim.
Bëmë atë që gratë dhe vajzat të ishin më të paguarat mes vendeve të rajonit. Sot ato janë punonjëse, punëtoret dhe ekspertet më të keqpaguara në gadishullin e Ballkanit.
Jeta e gruas në narko-ditaturë, është me shumë drama. Është e dhimbshme! Çfarë ndodh! Janë shkatërruar me mijëra vende pune. Shumë prej tyre largohen nga Shqipëria se nuk gjejnë punë.
Shumë shtëpi me vatra bosh se fëmijët janë larguar. Nënat janë kryefamiljare sepse burrat janë larguar. Vendi ku dhuna ndaj grave të ketë këtë agresivitet që ka në Shqipëri, dhe nëse trashëgimia jonë, nuk na bëjnë nder raportet gjinore. Sa i përket vrasjes ka qenë më e ultë.
Sot ne numërojmë numrin më të lartë të vrasjeve të grave, sepse nuk ka një mbrojtje. Shqipëria, duhet ta keni të qartë, se ka kryeministrin më mizor në Europë.
Ai nuk përmbahet dhe para kamerave. Agresion fizikisht. E imagjinoni ju se si reflektohet qëndrimi i egër, i një njeriu që humbet kontrollin para një gazetareje.”, tha Berisha.