
Presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin, ka sqaruar se çështja e përjashtimit të Izraelit nga futbolli ndërkombëtar nuk është diskutuar as në UEFA dhe as në FIFA, duke hedhur poshtë zërat për një pezullim të mundshëm të federatës izraelite, përcjell YNetNews.
Čeferin zhvilloi një bisedë disa ditë më parë me kryetarin e Federatës Izraelite të Futbollit, Moshe “Shino” Zuares, ku i konfirmoi se ndërsa ekziston një fushatë ndërkombëtare për të kërkuar përjashtimin e Izraelit, aktualisht qëndrimi i UEFA-s mbetet neutral.
Ndryshe nga rasti i Rusisë, e cila u përjashtua nga të gjitha garat ndërkombëtare pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022, nuk ka vendim të ngjashëm për Izraelin, theksoi Čeferin.
Edhe presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, gjatë një takimi të Komitetit Ekzekutiv të organizatës të enjten, dërgoi një mesazh qetësues në drejtim të federatës izraelite.
Në deklaratën e tij, Infantino theksoi se:
“FIFA duhet të përpiqet për unitet dhe paqe, veçanërisht në kontekstin e zhvillimeve aktuale në Gaza. Ne nuk jemi një organizatë që zgjidh konflikte ndërkombëtare.”
Ai gjithashtu konfirmoi se FIFA ka refuzuar kërkesat nga disa federata, përfshirë ato të Norvegjisë dhe Turqisë, për të mbajtur një votim mbi pezullimin e Izraelit nga garat ndërkombëtare të futbollit.
Që prej shpërthimit të konfliktit të fundit në Gaza, disa organizata sportive, përfshirë edhe federata të ndryshme kombëtare, kanë kërkuar që Izraeli të përjashtohet nga garat ndërkombëtare – një kërkesë që gjen precedent te përjashtimi i Rusisë në vitin 2022.
Megjithatë, UEFA dhe FIFA kanë mbajtur deri tani një qëndrim të kujdesshëm dhe të distancuar politikisht, duke theksuar rolin e sportit si mjet për bashkim dhe jo për ndarje.