
Reshjet e dëborës kanë filluar që prej orëve të mesditës së djeshme në zonat malore të qarkut Elbasan, pas rënies së ndjeshme të temperaturave. Sipas Zyrës së Emergjencave Civile pranë Prefekturës Elbasan, situata është nën kontroll, por reshjet kanë shkaktuar vështirësi në qarkullim dhe ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona.
Në aksin rrugor Librazhd – Fushë-Studen – Sebisht trashësia e dëborës ka arritur deri në 8 cm, ku qarkullimi bëhet vetëm me zinxhirë. Autoritetet bëjnë thirrje për kujdes dhe njësitë e mirëmbajtjes po punojnë për të siguruar kalueshmërinë.
Në pjesën tjetër të qarkut, rrugët rurale dhe nacionale mbeten të hapura dhe të kalueshme.
Probleme me furnizimin me energji janë regjistruar në qytetin e Cërrikut për shkak të dëmtimit të fidrit të Banjës, si dhe në Njësinë Administrative Lunik (Librazhd) dhe fshatin Godolesh (Labinot-Fushë). Ekipet e OSHEE janë në terren për riparim dhe rikthim të energjisë.
Autoritetet lokale monitorojnë situatën dhe bëjnë apel për kujdes të shtuar në zonat malore.