Vendosni fjalën kyçe....

Policia italiane bastis ekspozitën me veprat e Salvador Dali, dyshime së ishin falsifikime


Policia e trashëgimisë artistike e Italisë tha të mërkurën se bastisi një ekspozitë të Salvador Dali-t dhe sekuestroi 21 vepra që i atribuohen piktorit të famshëm surrealist spanjoll, të cilat dyshohet se janë të falsifikuara.

Oficerët sekuestruan tapiceri, vizatime, gravura dhe objekte të ndryshme nga shfaqja “Salvador Dali: Midis Artit dhe Mitit” e cila u hap javën e kaluar në qytetin verior të Parmës, thanë Karabinierët në një deklaratë.

Palazzo Tarasconi, vendi që po organizonte ekspozitën e Parmës, nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment. Zyra e biletave tha se ekspozita do vijojë pavarësisht sekuestrimeve.

Policia tha se ata vepruan pas dyshimeve të ngritura fillimisht nga “Fondacioni Gala-Salvador Dali”, organi i ngarkuar me mbrojtjen e trashëgimisë së artistit dhe vuri re “anomali” ndërsa veprat e artit ishin shfaqur në Romë.

Ekspozita, e përbërë nga rreth 80 vepra arti, u zhvillua në kryeqytetin italian nga janari deri në korrik. Ajo u rihap në Parma më 27 shtator dhe ishte planifikuar të vazhdonte deri më 1 shkurt.

Karabinierët theksuan se veprat e artit dyshoheshin si të falsifikuara në bazë të hetimeve paraprake dhe se prezumimi i pafajësisë do zbatohej derisa të arrihej një vendim përfundimtar, shkruan Reuters.

Karabinierët e Italisë kanë njësi të specializuara që punojnë për artin e vjedhur ose të falsifikuar.

Ata thanë vitin e kaluar se kishin zbuluar një rrjet të madh falsifikimi pan-evropian që prodhonte dhe shiste falsifikime që u atribuoheshin disa prej emrave më të mëdhenj në artin modern dhe bashkëkohor, duke përfshirë vepra nga Banksy, Pablo Picasso, Andy ëarhol dhe Salvador Dali.