Vendosni fjalën kyçe....

Malësia e Krujës zgjohet nën dëborë, fshatrat malorë mbulohen nga reshjet e natës



Malësia e Krujës është zgjuar mëngjesin e sotëm nën një pamje të bardhë dimërore, pasi reshjet e dëborës gjatë natës kanë mbuluar zonat me lartësi të mëdha. Dëbora ka rënë në disa prej fshatrave malorë si Shkreta, Bruz Mali, Qafë-Shtama dhe zona të tjera përreth, ku trashësia e saj ka arritur në disa centimetra.

Pavarësisht reshjeve, deri në këto momente nuk raportohet për bllokime rrugësh apo probleme të tjera serioze infrastrukturore. Autoritetet vendore kanë qenë në gatishmëri për çdo situatë të mundshme, ndërsa qarkullimi i automjeteve në akset kryesore po zhvillohet normalisht.

Ndërkohë, temperaturat kanë pësuar një rënie të ndjeshme, duke sjellë një kontrast të fortë me motin e ngrohtë të ditëve të fundit. Brenda vetëm 24 orëve, qytetarët janë detyruar të lënë pas veshjet e lehta dhe t’i rikthehen rrobave të trasha dhe xhupave dimërorë, si pasojë e këtij ndryshimi të papritur të motit.

Sipas sinoptikanëve, reshjet e dëborës pritet të vazhdojnë edhe gjatë orëve në vijim në zonat e thella malore, ndërsa në zonat e ulëta parashikohen reshje shiu dhe temperatura të ulëta për këtë periudhë të vitit.