Vendosni fjalën kyçe....

Kriza e buxhetit në SHBA hyn në ditën e tretë, shtohen frikërat për shkurtime nga Trump


Kriza për financimin federal në Shtetet e Bashkuara ka hyrë në ditën e tretë, ndërsa Senati pritet të votojë sërish këtë pasdite mbi dy projektligjet afatshkurtra të propozuara nga demokratët dhe republikanët për t’i dhënë fund mbylljes së qeverisë.

Të dyja përpjekjet e mëparshme kanë dështuar të marrin votat e nevojshme.

Lideri i shumicës në Senat, John Thune (R-S.D.), paralajmëroi se nëse dështojnë edhe këtë herë, Senati do të mbyllet deri të hënën, duke e zgjatur shutdown-in deri në ditën e gjashtë, përcjell NBC.

Një nga çështjet kryesore të bllokimit është zgjatja e subvencioneve për planet e Obamacare, të cilat skadojnë në fund të vitit. Demokratët e kanë vendosur këtë si kusht, ndërsa republikanët kanë kundërshtuar.

Ndërkohë, Byroja e Statistikave të Punës njoftoi se nuk do të publikojë raportin mujor të punësimeve – një nga treguesit kryesorë ekonomikë – për shkak të mbylljes së qeverisë.

Presidenti Donald Trump ka paralajmëruar shkurtimet më të mëdha të administratës në dekada nëse ngërçi nuk zgjidhet shpejt, duke shtuar frikën për pushime nga puna në sektorin federal.

Në anën tjetër, sondazhe të reja tregojnë se shumica e mbështetësve të Trump favorizojnë vazhdimin e subvencioneve të Obamacare, duke e vendosur presidentin në një pozitë të vështirë.

Në fokus-grupe të zhvilluara së fundmi me votues të rinj republikanë në shtetet fushëbetejë, disa prej tyre shprehën zhgënjim me mënyrën se si administrata ka menaxhuar ekonominë dhe çështjen e emigracionit.

“Besimi im tek kjo administratë ka rënë plotësisht për shkak të keqmenaxhimit të situatës,” tha Anthony H., një 22-vjeçar nga Nevada.

Kriza buxhetore e ka vendosur Shtëpinë e Bardhë dhe Kongresin përballë një prove të vështirë, teksa pasojat e para fillojnë të ndihen nga qytetarët dhe shërbimet publike të paralizuara.