Vendosni fjalën kyçe....

Hetimet për vdekjen e kenianes, telefoni çohet në SPAK për të kryer ekspertim telefonik të avancuar



Me shpresën e zbardhjes së misterit dhe rrethanave të vrasjes së shtetases Keniane, Joy Ayoko, prokuroria e Tiranës ka marrë një vendim për ekspertim të avancuar të dy telefonave të vajzës që kishte ardhur nga Kenia në Tiranë për të punuar në një kazino në zonën e Stadiumit.

Dy aparatet e telefonit, janë sekuestruar nga prokuroria e Tiranës qysh prej muajit Gusht 2022 dhe prej kësaj kohe ata janë ekspertuar por nuk është bërë e mundur të gjenden të dhëna me produktivitet.

Gazetari Elton Qyno, ka mësuar se në pamundësi të kushteve teknike dhe teknologjike që ka laboratori kibernetik i Policisë së Shtetit, Prokuroria e Tiranës, ka vendosur t’i shtrijë dorën për ndihmë ekspertëve kompjuterikë të Prokurorisë së Posaçme SPAK.

Kjo prokurori disponon programe të fundit të ekspertimit të pajisjeve kompjuterike, pasi prej disa vite, ka kontraktuar dy kompani të njohura në botë, si “Cellebrite DI Ltd” me bazë në Izrael dhe “INsig2 d.o.o” me bazë në Zagreb, lider në Ballkan.

Mësohet se dy telefonat tashmë i janë nënshtruar një ekspertimi të ndërlikuar kompjuterik me shpresën e rikuperimit të aparateve të telefonit.

Njëri prej telefonave që është përdorur nga shtetësia Keniane, Joy Ayoko, që në momentin kur është sekuestruar ka qenë i thyer, dhe ekspertët e SPAK kanë kthyer përgjigjen në prokurorinë e Tiranës, se nuk mund të ekzaminohet përmes programeve kompjuterike.

Ekspertimit, po i nënshtrohet vetëm njëri prej aparateve, ku shpresohet ti rikuperohet e gjithë memoria telefonike që ka përdorur ai telefon që nga periudha e ndezjes dhe deri në momentet e fundit kur është përdorur nga vajza Keniane, Joy Ayoko.

Nga ana tjetër për këtë çështje penale, prokuroria e Tiranës është në pritje nga spitali i Kenias, të aktit të autopsisë si dhe diagnozën e vdekjes së Joy Ayoko.

Përmes këtyre provave dhe kryerjes së një eksperimenti, ekspertët kërkojnë të ndërtojnë një version të mundshëm, mbi dinamikën e lëvizjeve, që besohet të ketë kryer mesnatën e 13 Gushtit 2022, shtetasja Keniane, Joy Ayoko.

Kjo e fundit mësohet se është rrëzuar ose hedhur nga dritarja e katit të 3-të, duke rënë në pjesën e pasme të pallatit.

Kujtojmë se mbrëmjen e 13 gushtit, Joy Ayoko, ka qenë e vetme në banesë, ndërsa në krevatin e saj policia, gjeti dhe sekuestroi një tas me pilaf dhe dy telefonat, njëri i thyer.

Ndërkohë veprimet e para hetimore, Policia e Shtetit, i ka kryer në 15 gusht 2022, kohë kur dhe ka dërguar materialin për vlerësim në prokurorinë e Tiranës.

Por për shkak se shumë procedura hetimore nuk janë kryer nga policia në Muajin Gusht, tashmë duket se prokuroria e Tiranës duket se ka “mbetur në klasë” në këtë çështje.

Dy nga tre pistat kryesore, ku prokuroria e Tiranës, po zhvillon hetime për rastin e shtetases keniane, Joy Ayoko, është ajo e “Vetëvrasjes” dhe “Shkaktimit të vetëvrasjes”.

Gjatë kësaj kohe disa persona janë marrë në pyetje dhe disa kontrolle banesash u kryen, por nuk sollën asnjë rezultat.

Keniania Joy Ayoko ndodhej në Shqipëri pasi ishte pjesë e stafit të “Arena Kazino”, që menaxhohet nga Bledar Sinanaj.

VINI RE: Artikulli është pronësi intelektuale e OraNews, Elton Qyno.