Vendosni fjalën kyçe....

Goditet grupi kriminal ndërkombëtar për trafikim të qenieve njerëzore dhe prostitucion online në Shqipëri



Pas disa muaj hetimesh intensive proaktive nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, u godit një rrjet kriminal i përfshirë në trafikimin e qenieve njerëzore nga vendet e Amerikës Latine dhe Azisë Qendrore, të cilët shfrytëzonin viktimat për prostitucion nëpërmjet platformave online ‘eskort’.

Operacioni, pjesë e procedimit penal nr. 846, 2025, u zhvillua në bashkëpunim me Prokurorinë dhe Policinë Kombëtare të Kolumbisë, Policinë Kroate, EUROPOL dhe EUROJUST. Në kuadër të këtij operacioni u lëshuan 19 masa sigurie: 9 prej tyre u ekzekutuan në Shqipëri dhe 10 në Kolumbi. Janë arrestuar disa persona, ndërsa 3 janë shpallur në kërkim dhe janë proceduar penalisht 48 shtetase të huaja me kombësi të ndryshme.

Hetimet zbuluan rolet kyçe të shtetasve L.B., 25 vjeç, arrestuar në Kolumbi, i cili rekrutonte vajzat dhe organizonte udhëtimin e tyre drejt Shqipërisë për shfrytëzim seksual, dhe D.S., që siguronte logjistikën për rrjetin kriminal. Një tjetër i arrestuar, K.P., merrej me menaxhimin e parave të fituara, duke përdorur kriptovaluta për transferime financiare.

Gjithashtu, shtetasi I.G. kishte përshtatur një hotel në rrugën “Reshit Collaku” në Tiranë për ushtrim prostitucioni nga viktimat, ndërsa D.B. merrej me shpërndarjen e lëndëve narkotike dhe lehtësimin e kontakteve me klientët.

Operacioni u mbështet nga projekti Western Balkans Criminal Justice i Eurojust, në bashkëpunim me EMPACT dhe EU4FAST, duke reflektuar përpjekjet ndërkombëtare për luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe shfrytëzimit të tyre.