
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, reagoi sot pas disa komenteve që tentuan të justifikojnë çmimet stratosferike të apartamenteve në Tiranë në një video të postuar dje prej saj, duke theksuar se realiteti është krejt tjetër për qytetarët shqiptarë.
Ajo arsyetoi se nuk mund të barazohet të ardhurat në vendet e BE me të Shqipërisë duke shtuar se kostot në Shqipëri janë më të larta.
“Sot të blesh një apartament në Tiranë, 70 m², është kthyer në luks. Një shqiptar me pagë mesatare 75 mijë lekë ka nevojë për 19 vite që ta blejë. Në Athinë duhen 12 vite, në Torino 6, në qytete të tjera europiane raporti është shumë më i përballueshëm. Në Tiranë është i paarritshëm”, tha Tabaku.
Sipas saj, justifikimet për çmimet e larta bien poshtë përballë realitetit: një flluskë ndërtimi e lidhur me pastrimin e parave dhe paga të ulëta, ku 40% shkojnë vetëm për ushqime.
“Ky model ekonomik i qeverisë ka kthyer apartamentin në një produkt të ndaluar jo vetëm për shtresën e mesme, por për këdo”, nënvizoi ajo.
Tabaku kërkoi ndryshimin e këtij modeli që, sipas saj, i ka lënë qytetarët pa mundësi reale për t’u strehuar dhe e ka shndërruar kryeqytetin në një nga vendet më të papërballueshme në botë.