
Dy persona humbën jetën dhe katër të tjerë janë në spital pas një sulmi të dhunshëm në një sinagogë në Manchester. Një person goditi me makinë kalimtarët dhe më pas sulmoi me thikë disa njerëz. Policia e ka cilësuar ngjarjen si një sulm terrorist, përcjell BBC.
Kryeministri Keir Starmer iu drejtuar drejtpërdrejt komunitetit hebre në Mbretërinë e Bashkuar, duke premtuar se do të bëjë gjithçka në fuqinë e tij për t’u siguruar “sigurinë që ju meritoni”. Sulmuesi u qëllua për vdekje nga policia brenda shtatë minutave nga thirrja e parë në emergjencë. Më pas, policia arrestoi edhe dy persona të tjerë.
Video nga vendi i ngjarjes tregon policinë duke urdhëruar njerëzit të largohen, duke thënë “hiquni mbrapsht – ka një bombë!”, por më vonë u konfirmua se pajisja e dyshuar nuk ishte aktive.
Sulmi ndodhi në sinagogën Heaton Park gjatë Yom Kippur, dita më e shenjtë në kalendarin hebraik, kur në vend ishin të pranishëm një numër i madh besimtarësh.
Ngjarja ka tronditur vendin dhe ka rindezur thirrjet për të luftuar antisemitizmin në Mbretërinë e Bashkuar.