Vendosni fjalën kyçe....

Rrëshqitja shkëmbore bllokon një korsi në aksin Qukës–Qafë Plloçë, 27 ditë pas inaugurimit



Moti i keq me reshje shiu dhe bore ka shkaktuar rrëshqitje të një masivi shkëmbor në aksin e ri Qukës–Qafë Plloçë, duke bllokuar njërën nga tri korsitë e rrugës. Rrëshqitja ndodhi vetëm 27 ditë pas inaugurimit të këtij aksi, i cili pritej të lehtësonte qarkullimin në rajonin juglindor.

Rënia e gurëve dhe dherave ka zgjatur disa orë, duke vështirësuar dhe rrezikuar qarkullimin e automjeteve në këtë segment. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar apo dëme materiale në mjete.

Në terren janë nisur punimet nga firma kontraktore për pastrimin e inerteve dhe rikthimin e qarkullimit normal. Autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të automjeteve të tregojnë kujdes të shtuar, pasi moti i keq pritet të vazhdojë dhe rrëshqitjet mund të përsëriten.

Aksi Qukës–Qafë Plloçë, i ndërtuar gjatë 14 viteve me një kosto prej 260 milionë eurosh, po përballet me sfidën e parë serioze pak javë pas hapjes së tij.