Vendosni fjalën kyçe....

Rama në Danimarkë: Europa mund të mësojë shumë nga Shqipëria, do të jemi vlerë e shtuar për BE-në


Në Kopenhagë të Danimarkës po zhvillohet samiti i 7-të i Komunitetit Politik Evropian, ku marrin pjesë 45 liderë nga e gjithë Evropa, përfshirë kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Rama deklaroi se Shqipëria ka bërë përparime të shpejta në procesin e integrimit dhe është gati për anëtarësim në BE. Ai nënvizoi se vendimi tani u takon vendeve të mëdha të Unionit.

“Sa i përket procesit të anëtarësimit, ne nuk po presim, por po vrapojmë. Po vrapojmë shumë shpejt dhe ne do të jemi gati shumë shpejt dhe është në dorë të vendeve të mëdha që të mos presim më, por të na pranojnë sepse ne do të jemi një vlerë e shtuar për BE-në.

Europa mund të mësojë shumë nga Shqipëria. Për të vepruar si një i vetëm. Për të konverguar gjithçka që ka të bëjë me sigurinë, gjë që nuk po ndodh. Dhe për më tepër, jo vetëm të forcojmë ushtrinë, por edhe të kemi një plan paqeje.

Kjo është gjëja më e mirë që ka ndodhur që prej krijimit të BE-së. Sa më shumë që shtyjmë në këtë drejtim, aq më mirë është, sepse ndërkohë të tjerët po dalin shumë të fortë dhe Europa si e tërë është një masë e madhe sa i përket popullatës, sa i përket ekonomisë, por duket e dobët se është si një e vetme”, tha ai.