Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, ka njoftuar dëbimin e të gjithë diplomatëve izraelitë të mbetur pas ndërhyrjes dhe sekuestrimit të flotës së Gazës nga Marina Izraelite.
Zyra e Petro-s tha se dy shtetas kolumbianë ishin në mesin e atyre në bordin e anijeve të sekuestruara dhe kërkoi lirimin e tyre të menjëhershëm.
Kolumbianët ishin “të angazhuar në veprimtari humanitare në solidaritet me Palestinën,” shkroi Petro në X të mërkurën, duke shtuar se po pezullohet gjithashtu një marrëveshje e tregtisë së lirë me Izraelin, shkruan Rt.
Flotilja, e cila u nis nga Spanja muajin e kaluar, mbante aktivistë nga më shumë se 40 vende, duke përfshirë aktivisten suedeze të klimës, Greta Thunberg, e cila ishte në mesin e të ndaluarve pasi Izraeli ndaloi disa anije të mërkurën në mbrëmje.
Zyrtarët izraelitë e përshkruan flotiljen si një “provokim” që nuk synonte dërgimin e ndihmës, por ndihmën ndaj Hamasit.
Javën e kaluar, SHBA i revokoi vizën Petro-s pasi ai u bëri thirrje ushtarëve amerikanë që të “mos i binden” urdhrave të Presidentit Donald Trump. Ai i bëri këto komente ndërsa merrte pjesë në sesionin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.
