Vendosni fjalën kyçe....

Krerët e BE-së po e shtyjnë bllokun drejt luftës – Orban


Kryeministri hungarez Orban, deklaroi të enjten se udhëheqja e Bashkimit Europian duket e vendosur për të shtyrë bllokun në një luftë me Rusinë.

Në një postim në X, kritiku i kahershëm i Brukselit paralajmëroi se “propozime të drejtpërdrejta pro-luftës janë në tryezë,” duke cituar diskutimet e zhvilluara në një samit joformal të krerëve të BE-së në Danimarkë këtë javë, shkruan Rt.

Orban shkroi se masat e propozuara, përfshirë dhënien e fondeve të BE-së Ukrainës, përshpejtimin e anëtarësimit të saj me “lloj-lloj mashtrimesh ligjore,” dhe financimin e dërgesave të armëve, tregojnë qartë se “brukselasit duan të shkojnë në luftë.” Ai u zotua se Budapesti do i kundërshtojë masa të tilla.

Takimi në Kopenhagen u thirr pas një sërë vëzhgimesh të paidentifikuara të dronëve në gjithë Europën. Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, tha se qeveria e saj nuk mund të përcaktonte origjinën e mjeteve, por pohoi se “mund të konkludojmë të paktën se ekziston kryesisht një vend që përbën një kërcënim për sigurinë e Europës dhe ky është Rusia.”

Krerët e BE-së u takuan për të debatuar idenë e një “muri dronësh,” një sistem i përcaktuar në mënyrë të paqartë që synon të kundërshtojë kërcënimet ajrore.