Vendosni fjalën kyçe....

Egjipti thotë se po punon për të bindur Hamasin të pranojë planin e Trumpit



Ministri i Jashtëm egjiptian, Badr Abdelatty, deklaroi të enjten se Egjipti bashkëpunon me Katarin dhe Turqinë për ta bindur Hamasin të pranojë planin e presidentit amerikan Donald Trump, që synon të vendosë armëpushim dhe të japë fund luftës gati dyvjeçare në Rripin e Gazës, përcjell REL.

Abdelatty tha se Hamasi është paralajmëruar se konflikti do të përshkallëzohet nëse nuk e pranon këtë plan. Ai shtoi se “Hamasi duhet të çarmatoset” dhe se Izraelit nuk duhet t’i jepet asnjë arsye për të vazhduar ofensivën ushtarake në Gazë.

Shtëpia e Bardhë publikoi këtë javë një dokument me 20 pika që përfshin armëpushim të menjëhershëm, shkëmbim pengjesh, tërheqjen e Izraelit në faza, çarmatimin e Hamasit dhe krijimin e një qeverie tranzitore me mbikëqyrje ndërkombëtare.

“Ne po bëjmë përpjekje të mëdha për ta bërë këtë plan të zbatueshëm dhe të marrim miratimin e Hamasit,” tha Abdelatty, duke theksuar se nëse Hamasi nuk e pranon, përshkallëzimet do të shtohen.

Ai gjithashtu garantoi se Egjipti nuk do të lejojë zhvendosje të detyruar të palestinezëve, duke e cilësuar një veprim të papranueshëm që do të shënonte fundin e çështjes palestineze.

Abdelatty theksoi se nevojiten ende biseda të mëtejshme për të adresuar çështjet e qeverisjes dhe marrëveshjet e sigurisë, megjithatë Egjipti mbështet vizionin e Trumpit për t’i dhënë fund konfliktit.