Vendosni fjalën kyçe....

“Do garoja nëse opozita do binte dakord mbi disa ide për Tiranën” – Hasimja


Një nga emrat e përfolur si kandidat i mundshëm i opozitës në zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës, Ermal Hasimja, ka sqaruar pozicionin e tij.

Ai pohoi se ka ambicie dhe dëshirë për të garuar teksa pohoi se ka vizionin e tij për kryeqytetin. Hasimja e vuri theksin te shpërthimi i ndërtimeve ku pastrohen lekët.

“48 orë më parë as unë nuk e dija, edhe pse kisha dëgjuar që përmendej emri im. A kam pasur ambicie apo dëshirë? Po, edhe e kam treguar më herët. Në vitin 2005 dhe më vonë në 2015 kemi dashur të bëjmë diçka me impakt publik. Gjërat personale i kemi zgjidhur, s’jam njeri që merrem me tendera apo vjedhje. Gjëja e parë që kam thënë kur mora vesh se emri im po merret seriozisht ishte: çfarë duan këta njerëz prej meje? Apo çfarë i lidh me mua? Nëse mendojnë që duhet të pastrojmë administratën duke hequr të gjithë socialistët nga puna, nuk është kjo ajo që unë besoj. Ose nëse mendojnë të ndajmë tenderat ndryshe, sërish nuk është vizioni im. Tirana sot është kthyer në një kantier për pastrim parash dhe ndërtime kullash. Nuk është menaxhuar për qytetarët, por për interesat e një grupi njerëzish që nuk e çajnë kokën për këtë qytet.” – tha ai në “Log”.

Ai shtoi gjithashtu se çdo kandidat i opozitës do ta ketë të vështirë të zhvillojë një fushatë cilësore, duke pasur parasysh afatin e shkurtër deri në zgjedhje, por theksoi se nuk do të marrë asnjë hap pa e qartësuar vizionin dhe pritshmëritë e atyre që propozojnë emrin e tij.

“Nuk është situate ideale për të kandiduar. Është e qartë se dhe unë do doja që e gjithë opozita të ishte komplet ndryshe. Shqetësimi që mund të sjellë tek një pjesë e demokratëve është i natyrshëm, kanë një sens meritokracie. S’jam i PD, s’jam as pronë e PD dhe as krijesë e saj. Ca kam bërë i kam krijuar vetë. Do t’i futesha kësaj gjëje, vetëm nëse pjesa më e madhe e opozitës është pas kësaj gjëje, nëse do binte dakord me mua për disa ide për Tiranën. Nëse ideja është hajde të bëjmë dicka ndryshe nga këta, nuk i futem. I kam rezistuar tundimit prej 30 vitesh të mos largohem nga ky vend.” – shtoi Hasimja.