Vendosni fjalën kyçe....

‘Politekniku’ firmos marrëveshjen me qeverinë për praktikat studentore, Rama: Praktikat e punës tani janë bërë rutinë


Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ishin sot në Universitetin Politeknik të Tiranës, ku u firmos një marrëveshje bashkëpunimi mes këtij universiteti dhe ministrisë.

Marrëveshja synon përgatitjen e studentëve përmes praktikave të paguara pune, duke u dhënë mundësi të aftësohen profesionalisht dhe të njihen nga afër me proceset e zhvillimit të infrastrukturës.

Rama tha se ky program është pjesë e paktit për universitetin dhe se qeveria synon të shtojë programe të ngjashme për të ndihmuar studentët të lidhen më herët me tregun e punës dhe institucionet shtetërore.

“Dua të sjell në vëmendje aktin se qysh kur ne e shpallëm pakti për universitetin, procesi i ndërveprimit me universitetin sipas fushave, ka njohur zhvillime të vazhdueshme dhe eksperienca na ka mësuar që në këto bashkëpunim me fakultete të ndryshme, ka shumë për të mësuar dhe njëkohësisht ka gjithmonë më shumë për të bërë.

Programi i sotëm është shprehje e këtij fakti, por njëkohësish përtej këtij programi, që do të mundësoje rekrutimin për një praktikë të vecantë për një numër studentesh të këtij unviersiteti.

Ne duam që të shkojmë dhe më tutje dhe duam të artikulojmë edhe më shumë programe të posaçme e kësaj natyre, për t’i dhe mundësi të gjithë studentëve që të fillojnë të materializojnë në perspektivë të së nesërmes pa mbaruar ende studimet, dhe të përfshihen në praktika pune që ju sigurojnë një informacion të domosdoshëm sesi mund të bëhen pjesë e trupave të ndryshme që operojnë në funksion të interesave të Shqipërisë.

Për të krijuar ura të reja, kanale të reja bashkëpunimi në mënyrë që investimet dhe mbështetja e drejtpërdrejtë e qeverisë për universitarin të shkojë në funksion të përfitimit të ndërsjelltë. Praktikat e punës tani janë bërë rutinë dhe çdo vit ne kemi në numër të konsiderueshëm studentësh të cilët kanë mundësinë të shfrytëzojnë këto praktika për të realizuar pikërisht këtë tranzicion nga universiteti në jetën e përditshme.

Ndërkombëtarizmi është një proces që ka filluar të na japë rezultatet e para, por duhet që qeveria dhe trupa drejtuese e universiteteve të shtyjnë më shumë në mënyrë që shumë nga koha e humbur të rifitohet. Ne po bëjmë shumë përpjekje për të sjellë realitete të reja akademike nga jashtë në Shqipëri dhe duam të mbështesim dhe më shumë përpjekjet që universitet bëjmë për tu hapur drejt botës”, tha Rama.