Vendosni fjalën kyçe....

Autoritetet gjermane arrestojnë tre të dyshuar për lidhje me Hamasin dhe përgatitje për sulme terroriste



Autoritetet gjermane kanë arrestuar tre persona të dyshuar si operativë të huaj të Hamasit, të cilët dyshohet se po përgatiteshin për një akt të rëndë dhune në territorin gjerman, njoftuan prokurorët federalë të mërkurën.

Hamas, i cili konsiderohet organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, sipas hetimeve është përfshirë në përpjekje për sigurimin e armëve të zjarrit dhe municioneve që do të përdoren në sulme ndaj institucioneve izraelite ose hebraike në Gjermani, përcjell REL.

Në momentin e arrestimeve, forcat e sigurisë gjetën armë të ndryshme, përfshirë një pushkë automatike AK-47, disa pistoleta dhe një sasi të konsiderueshme municionesh.

Të arrestuarit janë identifikuar si shtetasi gjerman Abed Al G., Wael F. M., i lindur në Liban, dhe shtetasi gjerman Ahmad I. Arrestimet u kryen në Berlin.

Kjo ngjarje vjen disa muaj pas një procesi gjyqësor në Berlin kundër katër anëtarëve të Hamasit, të dyshuar për planifikim sulmesh ndaj institucioneve hebraike në Evropë — proces i parë gjyqësor i këtij lloji në Gjermani.

Sipas mediave gjermane, hetuesit kanë vëzhguar takimin e të dyshuarve në Berlin gjatë tentativës për dorëzimin e armëve, që u ndërpre menjëherë nga forcat e sigurisë.