
Pas dy ditësh ndërprerjeje totale të komunikimeve, interneti dhe shërbimet telefonike janë rikthyer në Afganistan, duke sjellë gëzim dhe lehtësim mes qytetarëve. Dhjetëra banorë të Kabulit dolën në rrugë mbrëmjen e së mërkurës për të ndarë lajmin, teksa shumë prej tyre festonin duke telefonuar të afërmit e tyre.
Sipas monitoruesit të pavarur NetBlocks, të dhënat treguan një “restaurim të pjesshëm” të lidhjes, ndërsa një burim pranë qeverisë konfirmoi për BBC Afghan se vendimi për rikthimin e internetit u mor nga kryeministri taleban.
Ndërprerja 48-orëshe kishte paralizuar bizneset, bllokuar fluturimet, pezulluar transferimet ndërkombëtare të parave dhe i kishte izoluar edhe më shumë gratë e vajzat, të cilave iu janë kufizuar ndjeshëm të drejtat që nga rikthimi i talebanëve në pushtet në vitin 2021.
“Është si dita e Bajramit,” tha një shofer dërgesash për BBC, duke përshkruar atmosferën e gëzimit mes njerëzve që mund të përdornin sërish telefonat.
Megjithëse zyrtarisht autoritetet talebane nuk dhanë shpjegime për ndërprerjen, më herët zyrtarë lokalë kishin deklaruar se kufizimet në internet kishin për qëllim “parandalimin e mëkateve”. Kombet e Bashkuara paralajmëruan se mbyllja e komunikimeve rrezikonte të rëndonte edhe më tej krizën humanitare në vend.