
Ura Huajiang Grand Canyon në provincën Guizhou të Kinës është hapur për trafik për herë të parë të dielën, duke u bërë ura më e lartë dhe me hapjen më të madhe në një zonë malore në botë, përcjell Fox News.
Ura, e vendosur mbi lumin Beipan dhe duke kaluar nëpër Kanjonin Huajiang, është e lartë rreth 2,050 këmbë (rreth 625 metra) mbi lumë dhe shtrihet në një gjatësi prej gati 10,000 këmbësh (rreth 3 km), me një hapje kryesore prej rreth 5,000 këmbësh (1.5 km).
Zhang Shenglin, inxhinieri kryesor i Grupit të Inxhinierisë Rrugore të Guizhou, e përshkroi urën si një “çarje të Tokës” dhe shtoi se ajo do të demonstrojë aftësitë inxhinierike të Kinës dhe do të ndihmojë Guizhou-n të bëhet një destinacion turistik me famë botërore.
Pas tre vjet ndërtimi, ura ka shkurtuar kohën e udhëtimit nga dy orë në vetëm dy minuta, sipas agjencisë Reuters.
Profesori i inxhinierisë civile në Universitetin e Calgary, Mamdouh El-Badry, tha për media se një projekt i kësaj madhësie zakonisht do të merrte të paktën 5 deri në 10 vjet, duke përfshirë të gjitha fazat nga fillimi në përfundim, në varësi të faktorëve mjedisorë, politikë dhe logjistikë.
Ura më e gjatë dhe më e lartë më parë ishte Millau Viaduct në Francë, e cila shtrihet 8,070 këmbë (rreth 2.46 km) dhe qëndron gati 1,000 këmbë (305 metra) mbi lumin Tarn.
Huajiang Grand Canyon Bridge mbështetet në shtatë shtylla betoni, secila prej të cilave është 1,125 këmbë (343 metra) e lartë – më e lartë se Kulla Eifel.