Vendosni fjalën kyçe....

Trump shpall rikthimin e fokusit ushtarak te forca dhe kufijtë: “Është një luftë nga brenda”


Në një fjalim para drejtuesve ushtarakë në Virxhinia, Donald Trump e përshkroi Amerikën si një vend “në luftë brenda vetes”, duke thënë se ushtria do të përdoret për të ndihmuar rendin dhe sigurinë në qytetet e drejtuara nga demokratët.

“Ata janë vende shumë të pasigurta dhe do t’i rregullojmë një nga një,” tha Trump, duke përmendur San Franciskon, Çikagon, Nju Jorkun dhe Los Anxhelosin. “Kjo është gjithashtu një luftë. Është një luftë nga brenda. Ne nuk mund t’i lëmë këta njerëz të hyjnë. Pas triliona dollarësh të shpenzuar për të mbrojtur kufijtë e vendeve të huaja, tani po mbrojmë kufijtë tanë.”

Ai tha se Portland, Oregon, “duket si një zonë lufte” dhe e quajti qytetin “një makth”, duke ironizuar guvernatorin demokrat që i kishte kërkuar të mos ndërhynte me Garda Kombëtare, përcjell NBC.

U.S. President Trump presides over a senior military leaders' meeting convened by Defense Secretary Hegseth, in Quantico

Trump risolli edhe idenë e tij të vjetër për ta bërë Kanadanë shtetin e 51-të të SHBA, duke pretenduar se kishte sugjeruar këtë opsion në një bisedë për mbrojtjen raketore. Kryeministri Mark Carney ka mohuar prerazi çdo mundësi që Kanadaja të bëhet pjesë e SHBA.

Në linjë me sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, Trump deklaroi se ushtria do të rikthehet tek standardet e forta fizike dhe morali luftarak: “Qëllimi i ushtrisë amerikane nuk është të mbrojë ndjenjat e dikujt, por republikën tonë.”

Trump gjithashtu foli për kapacitetet bërthamore amerikane, duke thënë: “Jemi 25 vjet përpara Rusisë dhe Kinës në nëndetëse bërthamore… dhe nëse vjen puna për t’i përdorur, kemi më shumë se kushdo tjetër.”

Ai nuk kurseu ironitë as për paraardhësin Joe Biden, duke e sulmuar për përdorimin e autopen-it: “Si mund ta nënshkruash me autopen? Ne kemi letra të bukura, me ar, dhe unë dua të nënshkruaj vetë. Është mungesë respekti.”

Duke iu referuar luftës në Ukrainë, Trump tha se kishte menduar se një marrëveshje mes Putinit dhe Zelenskyt do të ishte “më e lehta nga të gjitha”, por pranoi se pas samitit në Alaskë, palët nuk janë afruar drejt paqes.

Fjalimi i tij nisi me një sallë të heshtur, gjë që Trump e vuri re: “Nuk kam hyrë kurrë në një dhomë kaq të qetë.” Ai shtoi me shaka: “Nëse nuk ju pëlqen çfarë them, mund të dilni jashtë. Sigurisht, bashkë me gradën dhe të ardhmen tuaj.”