
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka vendosur një afat prej “tre deri në katër ditësh” që Hamasi t’i përgjigjet planit të tij 20-pikësh për paqe në Gaza.
Duke folur para gazetarëve në oborrin e Shtëpisë së Bardhë, Trump paralajmëroi se “do të jetë një fund shumë i trishtuar” nëse Hamasi e refuzon marrëveshjen.
Plani i propozuar nga Uashingtoni përfshin ndalimin e menjëhershëm të luftimeve, lirimin e pengjeve izraelite dhe krijimin e një “Bordi të Paqes” ndërkombëtar për administrimin e Gazës, ku do të marrë pjesë edhe ish-kryeministri britanik Tony Blair, përcjell BBC.
Ministria e Jashtme e Katarit njoftoi se Hamasi po e studion propozimin amerikan “në mënyrë të përgjegjshme”.
Një element i rëndësishëm i planit është edhe mundësia për një “rrugë të besueshme drejt vetëvendosjes dhe shtetësisë palestineze”, nëse plotësohen disa kushte.
Megjithatë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u shpreh prerë se Izraeli do të “rezistojë me forcë” çdo ide për shtetësi palestineze.
Trump, i cili shpalli planin krah Netanyahut, tha se nëse Hamasi nuk e pranon, atëherë Izraelit i jepet “mbështetje e plotë për të bërë atë që duhet të bëjë”.
Megjithëse mund të arrihet një marrëveshje, analistët paralajmërojnë se sfida do të mbetet zbatimi i saj dhe shmangia e dështimeve në detaje ende të paqarta.