
Ish-kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, gjatë një interviste në emisionin “Log.” në News24, ka zbuluar detaje të reja lidhur me kontratën e lobimit për të cilën ajo dhe ish-bashkëshorti i saj, Ilir Meta, akuzohen nga SPAK.
Sipas Kryemadhit, kjo kontratë nuk ishte asgjë tjetër veçse një përpjekje për të bindur opozitën që të votojë reformën në drejtësi, në një kohë kur PD refuzonte të bashkohej në tryezën e dialogut me mazhorancën.
“Më 3 shkurt të 2016, kompania amerikane i kërkon Ilir Metës zbatimin e reformës në drejtësi. Në parlamentin e 2013, 9 deputetë të opozitës ishin ‘të blerë’ nga mazhoranca për të votuar pro reformës,”deklaroi Kryemadhi, duke shpjeguar se blerja e tyre kishte të bënte me përfitimet që pushteti ofronte.
Ajo tregoi gjithashtu se PD nuk pranonte të ulej në tryezën e reformës, ndërkohë që komunikimi për këtë çështje bëhej vetëm me Ilir Metën dhe Xhafën, me ndërmjetësimin e diplomatëve amerikanë.
Kryemadhi përmendi një kompani amerikane të udhëhequr nga Denis Burke, e cila luajti një rol kyç në negociatat që çuan në miratimin e reformës në drejtësi dhe nënshkrimin e kontratës së lobimit:
“Ky është prokurori që ka negociuar në Rogner, dhe në qershor të 2016 PD ra dakord që të shkojë drejt miratimit të reformës me konsensus të plotë,” tha ajo.
Ish-kryetarja e LSI-së sqaroi edhe pretendimet e SPAK për pagesat e lobimit, duke theksuar se shpenzimet ishin bërë nga LSI dhe se Kuvendi shqiptar nuk kishte kryer pagesat për këtë lobim.
“Ne kemi paguar 113 mijë dollarë me faturë deri në mars, të cilat duhej t’i paguante Kuvendi, por nuk u krye kjo pagesë,” përfundoi Kryemadhi.
Deklaratat e Monika Kryemadhit hedhin dritë mbi një pjesë të rëndësishme të historisë politike shqiptare dhe theksojnë përplasjen e brendshme brenda opozitës lidhur me reformën në drejtësi.